Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion...

E Marte, 04.12.2018




Në komision u diskutua lidhur me gjendjen në Gjykatën e Kosovës në veri të Mitrovicës

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, gjatë mbledhjes së sotme, të kryesuar nga Albulena Haxhiu, kryetare, diskutoi lidhur me gjendjen në Gjykatën e Kosovës në veri.
Kryetarja e komisionit në fillim të takimit shprehu shqetësimin e saj lidhur me situatën e krijuar në veri të Kosovës. Ajo bëri të ditur se nga raportet që ka marrë është njoftuar se gjykata në atë pjesë është jofunksionale, prej se është vënë taksa nga Qeveria e Kosovës. Sipas saj, pjesa veriore e Mitrovicës është duke u ballafaquar me mos punë të gjykatave, ndërkaq, protestat po realizohen para gjykatës.
Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, gjatë fjalës së tij, deklaroi se pas dorëheqjeve të kryetarëve të komunave me shumicë serbe në veri të vendit, është krijuar një situatë, siç e quajti ai, e brishtë.
"Në katër komuna të shtetit tonë nuk kemi pasur qasje e tash kemi. Kemi pasur situatë të brishtë pas dorëheqjeve. Unë ju kërkoj bashkëpunim si ministër, në mënyrë që ta mbajmë gjyqësorin në kuadrin tonë edhe në atë pjesë të Kosovës. Nëse një gjyqtar largohet, duhet me filluar përgatitjet për zëvendësim. Viteve të fundit kemi bërë progres por ende nuk jemi aty ku dëshirojmë", tha ministri Tahiri.
Ndërkaq, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, theksoi se situata është stabile, ndërsa shtoi se ka kërkuar nga gjyqtarët që të mos bëjnë deklarime për mbrojtjen e paanshmërisë së sistemit gjyqësor.
"Sa i përket gjendjes atje, dje me shkrim kam kërkuaar një informacion dhe me postë elektronike më kanë tregu që gjendja është stabile. Brenda javës do ta ftoj në takim kryetarin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikola Kabashiq, për të diskutuar lidhur me letrën që e ka dërguar", tha Idrizi.
Bahri Hyseni, nga Këshilli Prokurorial, theksoi se gjykata është duke vazhduar punën si zakonisht. Po ashtu, ai tha se prokuroria e ka pasur më të lehtë, pasi që pesha për këtë çështje bie mbi gjyqësorin.
"Nga dita e parë nuk kemi pasur asnjë problem me prokurorë dhe staf. Puna ka vazhduar pa asnjë pengesë", tha Hyseni.
Anëtarë të komisionit, nga ana e tyre, shprehën shqetëismin lidhur me gjendjen në veri dhe instrumentalizimin e qytetarëve serbë nga Beogradi.
Në vazhdim të mbledhjes, komisioni procedoi tutje në Kuvend Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.