Lajmet e fundit

Vazhdimi i Seancës plenare

E Premte, 23.11.2018




Seanca e sotme parlamentare, vijoi në vazhdim të pikave të papërfunduara nga seancat plenare, mbajtur më 13 shtator, 18, 31 tetor, 2 dhe 7 nëntor 2018.

Kryetari i kuvendit Kadri Veseli i filloi punimet e seancës menjëherë me procedurën e votimit. U votua pika 6 e Projektligjit për Noterinë, ndërsa në emër të grupit parlamentar të PSD-së Dardan Sejdiu, kërkoi tërheqjen nga rendi i ditës pikën 14; votimin e Propozim-rezolutës nga debati parlamentar për dialogun me Serbinë, kërkesë e cila u miratua. Gjithashtu u hoq nga rendi i ditës për të kaluar në seancë të radhës edhe pika 16; Emërimi i kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

Për mungesë të kuorumit, për procedurën e votimit, nga pika 1-16 (duke hequr pikat 6, 14,16) nuk u votuan. Më pas Kuvendi vijoi punimet me Shqyrtimin e Raportit vjetor të Auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë për vitin 2017. Kryetari i komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Driton Selmanaj, bëri arsyetimin e raportit dhe pasi reshtën diskutimet e deputetëve, që morën fjalën drejtuesja e seancës ndali punimet duke kaluar në pushim.

Pas pushimit seanca vijoi punimet me shqyrtimin e Raportit të Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për bankat, institucionet mikro-financiare dhe institucionet financiare jo bankare, (shqyrtimi i Raportit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi u shty për seancën e radhës); shqyrtimin e Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2017, shqyrtimin e rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin vjetor të Auditimit për vitin 2017. Pas arsyetimeve dhe reshtjes së diskutimeve të deputetëve procesi i votimit nuk u krye për mungesë kuorumi. Punimet vijuan më pas me formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala, arsyetimin e të cilit e bëri deputeti Milaim Zeka iniciues i kësaj iniciative i mbështetur nga 5 deputetët e grupit parlamentar të Nismës. Edhe kjo pikë u la për të vijuar seancën e ardhshme.

Lidhur me kërkesat e GP të PSD-së për caktimin e kryesuesit të Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, dhe kërkesa për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, për mungesë kuorumi u la të vijojnë seancë e ardhshme. Pas këtij momenti, drejtuesja e seancës mbylli punimet.

 

 

Vazhdimi i Seancës plenareVazhdimi i Seancës plenare