Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion...

E Marte, 20.11.2018




Sot u mbajt mbledhja e radhës e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, drejtuar nga kryetarja Albulena Haxhiu.

Të pranishëm në mbledhje ishin edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe drejtori i përgjithshëm i Qendrës së Shërbimeve Korrektuese të Kosovës, Nehat Thaçi, për të diskutuar lidhur me gjendjen e institucioneve korrektuese në Republikën e Kosovës.

Ministri Tahiri foli për Projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale si dhe gjendjen e burgjeve të Kosovës. Ai tha se qendrat korrektuese në përgjithsi kanë gjendje stabile dhe se problematikat në këtë institucion nuk janë të pamenaxhueshme. Ai dha detaje për qendrat e reja si ajo në Prishtinë dhe tjetrën, në Gjilan, të cilat, sipas tij, parashikohet të lehtësojnë ngarkesën që ka burgu i Dubravës, duke i zhvendosur të burgosurit në këto qendra.

Tahiri njoftoi komisionin se janë në prag të rekrutimit të 120 gardianëve, derisa potencoi që këto pozita janë paraparë në buxhet.

Ndërsa, drejtori i qendrës, Nehat Thaçi, u thellua në detaje dhe çështje specifike që e karakterizojnë institucionin që ai drejton. Thaçi dha versionin e tij për mbylljen e qendrës së paraburgimit në Pejë, si pasojë e vjetërsisë së objektit, i cili, sipas tij, nuk i përmbush as nevojat elementare.

Ai theksoi se me miratimin e Projektligjit për sanksionet, shumë kërkesa dhe nevoja të të burgosurve do të arrijnë të përmbushen dhe me këtë rast do të përmirësohet edhe funksionimi i kësaj qendre si institucion.

Anëtarë të komisionit, nga ana e tyre, shprehën pakënaqësi për gjendjen në qendrat korrektuese dhe kërkuan marrjen e masave përkatëse për përmirësimin e tyre.

Në vazhdim, komisioni shqyrtoi dhe përkrahu edhe tri projektligje, me amendamente: Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Projektligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Familjen.

 

Legjislacioni