Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi...

E Marte, 20.11.2018




Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, mbajti mbledhjen e radhës, të udhëhequr nga Muharrem Nitaj, kryetar, në të cilën raportoi Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi.

Ministri Matoshi, gjatë prezantimit të tij, foli për planet dhe projektet e ministrisë që ai drejton. Matoshi theksoi se gjatë këtyre muajve, angazhimet e ministrisë janë orientuar në aktivitetin e task forcës për pastrimin e Kosovës.

Po ashtu ai, vuri në dukje veprimtarinë në sektorin e mbeturinave, si dhe rekonsulidimin e një granti prej 22 milionë eurove, i financuar nga MM-ja, GIZ-i, Komisioni Evropian, MAPL-ja. Ministri tha se ky grant do të funksionalizohet prej vitit 2019. Përmes këtij projekti, ai tha se komunat do të shpërblehen në bazë të performancës që tregojnë në grumbullim dhe menaxhim të mbeturinave.

Ndërkaq, lidhur me çështjen e cilësisë së ajrit, Matoshi tha se ministria është duke vepruar në bashkëpunim me MASHT-in dhe është marrë vendimi për ndërprerjen e ngrohjes me thëngjill në shkolla dhe institucione.

Sipas Matoshit, gjatë javës së kaluar janë konfiskuar 7 kamionë me thëngjill, të cilët më pas janë zbrazur në deponitë e KEK-ut. Ai tha se ka filluar zbatueshmëria e udhëzimit administrativ lidhur me hedhjen e mbeturinave dhe marrjen e masave me gjobë.

Anëtarët e komisionit shtruan pyetje dhe ngritën një varg çështjesh në adresë të ministrit.

Kryetari i komisionit Muharrem Nitaj, kërkoi sqarim lidhur me dukurinë e hapjes së minierave të thëngjillit në mënyrë ilegale.

Deputeti Liburn Aliu, u shpreh i pakënaqur lidhur me raportin. Ai theksoi se në raport janë 89 projekte në planë të realizimit, ndërkaq, vetëm 11 prej tyre janë realizuar.

Deputetja Besa Gaxherri shprehu shqetësimin e saj lidhur me ndotjen e lumenjve dhe dëmtimet e pyjeve, për të cilat MMPH-ja nuk është duke ndërmarrë asgjë.

Ndërkaq, deputetët Sali Zyba dhe Liburn Aliu kërkuan që ministria të bëjë inspektimin e ndërtimeve pa leje në Brezovicë.

Deputetja Ganimete Musliu kërkoi nga ministria që të ndërmerret një aksion lidhur me ndotjen e ambientit me qese plastike.

Ministri dha sqarimet e nevojshme në pyetjet dhe shqetësimet e ngritura nga ana e deputetëve.

Raporti i MPH-së u miratua nga anëtarët e komisionit dhe u procedua tutje në Kuvend.

Në vijim, komisioni procedoi për shqyrtim të parë Projektligjin për Produktet Biocide, si dhe Projektligjin për Odën e Arkitektëve dhe Odën e Inxhinierëve në fushën e ndërtimit.

 

 

Bujqesia