Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Hënë, 16.02.2015
Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetarja e komisionit Teuta Sahatqija, ka raportuar sot ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, për angazhimet e kësaj ministrie në koordinimin e agjendës evropiane, me fokus në procesin e Stabilizim-Asociimit dhe Liberalizimin e Vizave.
Përveç procesit të Stabilizim-Asociimit dhe Liberalizimit të Vizave, anëtarë të Komisionit, gjatë diskutimit të tyre ngritën çështje të ndryshme gjatë këtij takimi, për të cilat u përgjigj ministri Çollaku.
Të gjithë anëtarët e komisionit njëzëri shfaqën shqetësimin e tyre lidhur me migrimin ilegal të qytetarëve të vendit.
Fillimisht, ministri Çollaku, gjatë raportimit të tij për zhvillimet e reja në procesin e integrimit evropian të vendit, foli për dy prioritetet kryesore të kësaj ministrie për këtë vit, siç janë: nënshkrimi i MSA-së, dhe përmbyllja e suksesshme e dialogut për Liberalizimin e Vizave me BE-në.
Ai theksoi se sa i përket MSA-së, procesi po ecën mirë dhe sipas dinamikës së paraparë. Me këtë rast ministri Çollaku vlerësoi se në fund të pranverës së këtij viti do të nënshkruhet dokumenti i Stabilizim Asociimit.
Ai tha se MSA-ja është dokumenti i parë ligjor që Kosova e nënshkruan me BE-në dhe se përfaqëson bazën ligjore për të gjitha hapat e radhës në kuadër të procesit integrues të Kosovës, deri në aktin e anëtarësimit. Kjo, sipas tij, Kosovës i mundëson anëtarësim me të drejta të plota.
Ndërsa, sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, ai vlerësoi se kanë arritur në fazën finale të zbatimit të të gjitha kritereve të kërkuara me udhërrëfyesin për viza.
Me këtë rast, ai tha se shumë ministri kanë mbetur prapa në përmbushjen e kritereve të kërkuara dhe se për këtë çështje do të hartohet një raport i detajuar, i cili do të përmbajë të arriturat e institucioneve përkatëse në përmbushjen e këtyre kritereve.
Sa i përket çështjes së migrimit ilegal, Çollaku, tha se përpos pasojave negative me të cilat migruesit ilegal ballafaqohen personalisht, migrimi ilegal ndikon edhe në procesin e liberalizimit të vizave, duke qenë se ndikimi i migrimit është një prej pesë indikatorëve të përfomancës që vlerëson progresin e një shteti në procesin e liberalizmit të vizave.