Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit

E Enjte, 10.04.2014




Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë të saj e udhëhoqën nënkryetarët e Kuvendit, Xhavit Haliti dhe Albert Kinolli), deputetët shqyrtuan një varg projektligjesh në lexim të parë dhe një projektligj në lexim të dytë.

Edhe mbledhja e sotme filloi me dy pikat e përhershme të mbledhjeve plenare: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, ku u ngritën një varg çështjesh nga deputetët, ndërsa pyetjeve parlamentare u janë përgjigjur kryeministri i Qeverisë, Hashim Thaçi, si dhe ministrat e kabinetit qeveritar: Mahir Yagcilar, Ferid Agani, Nenad Rashiq dhe Besim Beqaj.

Mbledhja ka vijuar me miratimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Garancisë për linjën kreditore për Fondin e Sigurimeve të Depozitave në Kosovë nëpërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, i cili, në mungesë kuorumi nuk ka arritur të miratohet në mbledhjen e kaluar.

Në vijim, deputetët shqyrtuan Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë eksportuese e lidhur ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria AG për financimin e Projektit "Modernizimi i sistemit të arsimit të edukimit në Kosovë përmes E-edukimit". Këtë projektligj e ka paraqitur ministri i Ministrisë së Financave, Besim Beqaj. Pas shqyrtimit të projektligjit, Kuvendi nuk arriti të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave për miratim.

Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin në parim të disa projektligjeve. Projektligjin për arsimin e lartë në Republikën e Kosovës, e paraqiti ministri i Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja. Ky projektligj, në mungesë të dy të tretave nga komunitetit pakicë, nuk iu nënshtrua votimit. Ndërkaq, është miratuar Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike, të cilin e ka prezantuar ministri i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi.

Sa i përket Projektligjit për kinematografinë, i paraparë që të shqyrtohet në këtë mbledhje, kjo nuk ndodhi për shkak se munguan përfaqësues nga kabineti qeveritar për ta prezantuar.

Është vijuar ndërkaq me shqyrtimin e dytë të Projektligjit për sigurimin shëndetësor. Projektligji me shumicë votash është miratuar nga deputetët.

Në vijim të mbledhjes, deputetët shqyrtuan Raportin e Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për arsimin e lartë të Republikës së Kosovës. Këtë raport, në emër të komisionit e ka paraqitur deputetja Teuta Haxhiu.

Raporti nuk mori votat e mjaftueshme për miratim.

Pas kësaj Kuvendi ndërpreu punimet, për të vazhduar nesër në orën 10:00.

 

 Mbledhja e Kuvendit Mbledhja e Kuvendit Mbledhja e Kuvendit Mbledhja e Kuvendit