Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion

E Hënë, 17.03.2014




Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, të kryesuar nga nënkryetari i komisionit, Behar Selimi, u shqyrtua dhe u përkrah në parim Projektligji për Agjencinë Kosovare për krahasim dhe verifikim të pronës.

Anëtarët e Komisionit shqyrtuan edhe Projektligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit. Me këtë rast, deputeti Armend Zemaj, anëtar i Komisionit për Legjislacion dhe kryetar i Nën-komisionit për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Punës, tha se në këtë projektligj nuk përfshihet asnjë privilegj shtesë për deputetë, ndaj sqaroi se përfitues të këtij projektligji janë ish-deputetë të Kuvendit nga legjislaturat e viteve 90, 92, 98, si dhe të tri legjislaturave pas vitit 1999. Zemaj po ashtu sqaroi se kostoja e këtij projektligji brenda një viti parashihet të jetë rreth 495 mijë euro dhe se nuk ka implikime buxhetore.
"Përfitues nga ky projektligj janë ish-deputetë të Parlamentit dhe ata që arrijnë moshën e pleqërisë, ndërkaq nuk janë deputetët aktualë, ata që kanë moshë të re, si dhe ata të cilët mund të kenë pagë tjetër nga Buxheti i Kosovës. Kostoja financiare është minimale edhe pse janë të përfshira të gjitha legjislaturat e viteve 90, 92 dhe 98, si dhe tri legjislaturat e pas vitit 1999. Kjo nuk e rëndon Buxhetin e Kosovës dhe nuk ka implikime buxhetore. Asnjë privilegj përpos imunitetit funksional nuk e kanë deputetët me anë të këtij ligji", theksoi Zemaj.

Lidhur me këtë projektligj u zhvillua një debat i gjerë mes anëtarëve të komisionit. Anëtari i komisionit, Gëzim Kelmendi, duke sqaruar votën e tij kundër këtij projektligji tha se Projektligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit u jep shumë privilegje deputetëve, duke kundërshtuar çështjen e pensionit suplementar për deputetët.

Projektligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, me shumicë votash u mbështetë nga anëtarë të komisionit për procedim të mëtejmë.

Tutje, anëtarët e komisionit shqyrtuan dhe përkrahën edhe propozim-amendamentet e grupit të punës në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-51 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik. Ndërkaq, shqyrtuan dhe përkrahën pesë raporte me amendamente të komisioneve funksionale të këtyre projektligjeve: Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, Projektligjit nr. 04/L-190 për Produkte Medicinale dhe Pajisje Medicinale, Projektligjit nr. 04/L-250 për Themelimin e Agjencisë për Shërbimet e Navigacionit Ajror, Projektligjit nr. 04/L-247 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 04/L-061 për Shitjen e Banesave për të cilat Ekziston e Drejta Banesore, si dhe të Projektligjit nr. 04/L-253 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 04/L-127 për Regjistrimin e Bujqësisë.

 

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion