Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi priti një grup të ish-luftëtarëve të UÇK-ës nga qyteti i Ferizajt, të cilët do të rrugëtojnë këmbë nga Ferizaj deri në Prekaz
E Marte, 04.03.2014
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim një grup të ish-luftëtarëve të UÇK-ës nga qyteti i Ferizajt, të cilët do të rrugëtojnë këmbë nga Ferizaj deri në Prekaz, për nder të 5,6 dhe 7 Marsit, në shenjë respekti të rezistencës së familjes Jashari. Pasi u falënderua për pritjen, udhëheqësi i këtij grupi , Naim Avdyli, foli për iniciativën që kishin ndërmarrë për të shënuar në mënyrë simbolike Epopenë e lavdishme të UÇK-ës, periudhë kjo, që simbolizon përjetësisht krenarinë dhe dhembjen. Në rrugëtimin drejt Kompleksit Memorial "Adem Jashari" në Prekaz, ky grup do të vizitojë edhe familjen , në të cilën një fëmijë është pagëzuar UÇK.
Kryekuvendari Krasniqi i përgëzoi këta ish-ushtarë të UÇK-ës për këtë iniciativë, që përbën një nderim të veçantë për Epopenë e lavdishme çlirimtare të Kosovës. Duke përshkruar përmasat e kësaj lufte, kreu i legjislativit të vendit , z. Krasniqi, tha se ky rrugëtim tregon se ato ditë të lavdishme të luftës çlirimtare do të kujtohen gjithnjë dhe njëherësh dëshmojnë se historia është shkruar me gjak.