Lajmet e fundit

Nga vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit

E Premte, 28.02.2014




Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vazhduar sot me mbledhjen e rregullt plenare të kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit.
Mbledhja ka filluar me debatin parlamentar lidhur me gjendjen e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë. Ky debat është zhvilluar me iniciativë të deputetes, Ganimete Musliu, përkrahur edhe nga deputetët e tjerë. Ajo tha se debati është iniciuar për shkak të gjendjes së rëndë dhe kujdesit të pamjaftueshëm ndaj kësaj kategorie, ndërsa qëllimi i tij është përmirësimi i kushteve për ta. Në vijim, Musliu, tha:" Ndonëse institucionet e Kosovës, përkatësisht Qeveria dhe Parlamenti kanë nxjerrë një sërë ligjesh dhe dokumentesh që i rregullojnë të drejtat e personave më aftësi të kufizuara, raportet e shumta që dalin nga organizatat e ndryshme tregojnë se në vendin tonë personat me aftësi të kufizuara dhe familjarët e tyre, i përkasin pjesës së margjinalizuar të shoqërisë". Për gjendjen e rëndë të kësaj kategorie ka folur edhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, Suzan Novobërdali. Ajo vlerësoi se Qeveria nuk është duke bërë sa duhet për këtë kategori e cila përballet me mungesën e kujdesin shëndetësor. Me këtë rast ajo vuri në pah faktin se në gjendje më të rëndë janë paraplegjikët dhe tetraplegjikët e kësaj kategorie , si pasojë e infeksioneve urinare.
Në vijimim të mbledhjes, të cilën e udhëhoqi nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ka folur përfaqësuesja e Grupit Parlamenatr të PDK-së, Flora Brovina. Ajo tha se është obligim moral edhe i Kuvendit të Kosovës që të tregojë kujdes ndaj kësaj kategorie. Ajo iu referua infrastrukturës ligjore që rregullon këtë fushë dhe vlerësoi se ajo është shumë e vancuar. Por sipas, saj, ajo duhet të zbatohet.
Përfaqësuesja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Rita Hajzeraj-Beqa, ndërkaq, vlerësoi se në vend të debatit do duhej të insistohej në zbatimin e ligjeve për këtë kategori. Këtë qëndrim ajo e shfaqi për faktin se inicuesja e debatit i përket partisë në pushtet. "Rekomandimi i vetëm i Grupit Parlamenatr të LDK-së, është zbatimi i ligjeve", tha ajo.
Edhe përfaqësuesja e Grupit Parlamenatr të VV-së, Albana Gashi, vlerësoi se kjo kategori vazhdon të mbetet kategoria më e diskriminuar në Kosovë. Sipas saj, kësaj kategorie i mungojnë të drejtat themelore.
Po ashtu, edhe Teuta Haxhiu nga radhët e AAK-së, vlerësoi se kjo kategori është sfidë e madhe e shoqërisë. Ajo u angazhua që të krijohen kushte për këtë kategori, duke u nisur nga themelimi i qendrave rehabilituese.
Ngjashëm është shprehur edhe përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të KKR-së, Gëzim Kelmendi. Duke kritikuar Qeverinë për angazhim të pamjaftueshëm ndaj kësaj kategorie, ai tha se duhet fokusuar në zbatimin e ligjeve të cilat parashohin, lehtësira në punësim dhe trajtim shëndetësor për këtë kategori.
Kryeparlamentari Krasniqi, u angazhua për trajtim të barabartë të kësaj kategorie. Ai me këtë rast ka përgëzuar Hiljmnijeta Apuk, përfaqësuese e Organizatës Joqeveritare "Njerëzit e vegjël të Kosovës", njëra nga gjashtë fitueset e çmimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në Nju Jork.
Në debatin lidhur me këtë çështje, janë angazhuar edhe deputetët: Shaip Muja, Alma Lama, Faton Topalli, Kymete Bajraktari, Hydajet Hyseni, Nijazi Idrizi, Bahri Thaçi, Kymete Bytyqi, Halit Krsniqi e të tjerë. Diskutuesit me këtë rast janë angazhuar për zbatimin e ligjeve, të cilat sipas tyre sigurojnë mbrojtje të kënaqshme për këtë kategori. Po ashtu ata kanë kritikuar ashpër neglizhencën e treguar nga organet kompetente, të cilat, sipas tyre, as në minimum nuk përmbushin nevojat e personave me aftësi të kufizuara. Ata kanë vlerësuar se disa nga institucionet ende nuk kanë krijuar kushte për qasje fizike në objektet institucionale.
Pas kësaj, fjalën e mori ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq. Ai fillimisht ka shprehur mospajtim me disa nga pohimet që dolën gjatë debatit, ndërsa shprehu përkushtimin e Ministrisë për përmbushjen e të gjitha obligimeve ligjore. Ai foli për të arriturat dh sfidat e kësaj ministrie, duke vënë në pah infrastrukturën ligjore, si çështjen më të rëndësishme të ministrisë. Ai po ashtu tha se benifitet e ligjeve i gëzon secili që ka aplikuar dhe dëshmuar gjendjen fizike të kufizuar. Në fund të paraqitjes së tij me këtë rast, ministri Rashiq njoftoi edhe për një Projekt, i cili pritet të implementohet gjatë këtij viti. Vlera e këtij Projekti, tha ai, është një milion euro dhe përkrahet edhe nga BE-ja. Qëllimi i tij, vazhdoi ministri, është rehabilitimi dhe punësimi i personave me aftësi të kufizuara.
Pas kësaj është vazhduar me debatin tjetër të paraparë për këtë mbledhje. Gjatë këtij debati është diskutuar për procesin e privatizimit të IGK "Ballkan", në Suharekë. Debati lidhur me këtë është zhvilluar me kërkesë të Grupit Parlamentar të LDK-së, qëndrimet e të cilit i ka paraqitur përfaqësuesi i këtij grupi, Armend Zemaj. Ai tha se procesi i privatizimit në Kosovë, nuk ka përmbushur pritjet për zhvillimin ekonomik dhe punësimin në Kosovë. Përkundërkësaj, këtë proces e kanë përcjellë shumë parregullsi dhe afera korruptive, tha ai. Për blerësin e IGK-së "Ballkan" nga Suhareka, Zemaj tha se nuk ka përmbushur kontratën, ndërsa i njëjti ka filluar të shesë edhe parcela për rreth fabrikës. Lidhur me parregullsitë e pretenduara rreth këtij privatizimi, ai kërkoi nga Kuvendi që të formohet Komision Hetimor.
Përfaqësuesi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Shaip Muja, vlerësoi si të papërshtatshëm momentin e debatit, sepse sipas tij kjo mund të kuptohet si situatë paraelektorale. Për më shumë, ai kujtoi se privatizimi i kësaj ndërmarrjeje është bërë në kohën sa ishte në pushtet partia, e cila e ka kërkuar debatin e sotëm. Sipas tij, debati nuk e zgjedhë problemin në këtë ndërmarrje, por kërkoi nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri që të bëjë raport lidhur me privatizimin e IGK "Ballkan".
Kryetari i Grupit Parlamentar të VV-së, Visar Ymeri, u shpreh në favor të formimit të Komisionit Hetimor dhe po ashtu kërkoi nga AKP-ja përmbushjen e obligimeve ndaj punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje. Ai vuri në pah edhe mospërmbushjen e kontratës nga ana e blerësit, i cili, ndonëse ishte i obliguar të bëjë investimin prej gjashtë milin euro, nuk e ka përmbushë këtë pjesë të kontratës së Spin-off-it special.
Në favor të Komisionit Hetimor, është shprehur edhe përfaqësuesi i AAK-së, Burim Ramadani. Ai kërkoi hetim për të gjitha rastet për të cilat pretendohet që e kanë përcjellë parregullsi. AAK, tha në vijim ai, ndonëse e përkrah Komisionin Hetimor, ky do të jetë i kushtëzuar me kohën e mbajtjes së zgjedhjeve, sepse, shtoi ai, Komisioni në këtë rast duhet të sjellë raportin brenda gjashtë muajve. AAK, tha në vijim ai, dëshiron të dijë se kur do të mbahen zgjedhjet, në qershor apo në fund të vitit. Pyetjes dhe dyshimit që shfaqi ai, i është përgjigjur deputeti Zemaj. Ai tha se debati i thirrur prej tyre nuk ka të bëjë me kohën e mbajtjes së zgjedhjeve. Në vijim kanë diskutuar një mori deputetësh, të cilët kanë vlerësuar se procesin e privatizimit e kanë përcjellë pa rregullsi të shumta. Ata po ashtu vlerësuan se formimi i Komisionit Hetimor është i nevojshëm për të gjitha ndërmarrjet e privatizuara, ndërsa lidhur me privatizimin e IGK "Ballkan" nga Suhareka u shprehën se blerësi nuk e ka përmbushur as një obligim që del nga kontrata e shitjes.
Pas kësaj, deputeti, Armen Zemaj, në emër të iniciuesit të debatit propozoi tri rekomandime, përfshirë këtu edhe formimin e një komisioni hetimor.

Në mungesë kuorumi, rekomandimet nuk u hodhën në votim.  

Lidhur me këtë çështje do të vendosë  Kryesia e Kuvendit.