Lajmet e fundit
Nga mbledhja e rregullt e Kuvendit
E Enjte, 27.02.2014
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë të së cilës e udhëhoqi nënkryetari Xhavit Haliti), deputetët shqyrtuan dy projektligje dhe kanë ratifikuar një marrëveshje. Po ashtu, në këtë mbledhje, deputetët kanë debatuar edhe për gjendjen e sigurisë në shkollat e Republikës së Kosovë.
Në fillim të mbledhjes janë trajtuar dy pikat e përhershme në mbledhje plenare: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare. Pas kësaj, janë ngritur dy mocione: deputeti Arsim Bajrami, kërkoi që Projektligji për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të hiqet nga rendi i ditës, ndërsa deputeti Bekim Haxhiu, ngriti mocionin tjetër me të cilin kërkoi që Projektligji për veteranët e luftës së UÇK-së të futet në rend dite në këtë seancë. Pas shqyrtimit të këtyre mocioneve, deputetët u deklaruan në në favor të mocionit të parë, ndërsa u shprehën kundër mocionit tjetër që Projektligji për veteranët e luftës së UÇK-së të shqyrtohet në këtë mbledhje. Mocion për heqje nga rendi i ditës është ngritur edhe për pikën tjetër të paraparë për këtë mbledhje: shqyrtimi i Planit të Veprimit për negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit për vitin 2014. Ky mocion nuk është përkrahur nga deputetët, ndërsa mbledhja ka vijuar me shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për hua të Projektit për magjistralen Prishtinë-Mitrovicë ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Këtë projektligj, në emër të Qeverisë së Kosovës e ka paraqitur zv. kryeministrja, Edita Tahiri. Ajo pasi foli për procedurat e ndjekura gjatë arritjes së marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Fondit Saudit për Zhvillim, potencoi edhe rëndësinë e ndërtimit të infrastrukturës, përkatësisht magjistralen Prishtinë-Mitrovicë. Pas deklarimeve nga ana e përfaqësuesëve të grupeve parlamentare, deputetët, ashtu siç është e paraparë me këto raste, me dy të tretat e votave e kanë ratifikuar marrëveshjen për hua të Projektit për magjistralen Prishtinë-Mitrovicë ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Pas kësaj është shqyrtuar Plani i Veprimit për negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit për vitin 2014. Lidhur me këtë, në emër të Komisionit për Integrime Evropiane ka folur, kryetarja e këtij komisioni, Vjosa Osmani. Ajo vlerësoi se janë përmbushur kriteret afatmesme të cilat Kosova duhet t'i përmbushë për nënshkrimin e marrëveshjes me MSA-në. Ndërsa nënvizoi fushat në të cilat kërkohet angazhim i shtuar në përmbushjen në tërësi të kritereve. Për përmbushjen e plotë të kritereve të parashtruara, ajo vlerësoi domosdoshmërinë e përkushtimit në fushën e sundimit të ligjit dhe rritjen e mbikëqyrjes së Kuvendit ndaj ekzekutivit. Ajo vuri në pah edhe nevojën e pavarësisë financiare të Kuvendit, si dhe shumë çështje të tjera të përshkruara në Raportin e KE-së për Kosovën. Në fund të paraqitjes së saj, deputetja Osmani bëri thirrje për miratimin e këtij plani. Në emër të Grupit Paralmenatr të PDK-së, ndërkaq, ka folur deputeti, Shaip Muja, i cili po ashtu bëri të ditur se ky grup parlamentar do të përkrahë këtë plan. Qëndrimin e Grupit parlamentar të VV-së e ka bërë të ditur deputeti, Glauk Konjufca. Ai kritikoi gjendjen në Kosovë, duke u përqëndruar në zhvillimin e ultë ekonomik si dhe mangësi të tjera. Ai shprehu dyshimin se Plani i Veprimit për negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit për vitin 2014 do të mund të zbatohej nga Qeveria. Përfaqësuesi i Grupit Parlamenatr të AAK-së, Ardian Gjini, u shpreh se ky grup e mbështet raportin. Raportin e përkrahu edhe Grupi Parlamentar 6+, në emër të të cilit ka folur deputeti, Albert Kinolli. Pas një debati lidhur me këtë, Plani është hedhur në votim dhe me shumicë votash është miratuar nga deputetët.
Po ashtu, deputetët kanë shqyrtuar dhe miratuar edhe Propozim-programin e Punës së Kuvendit për vitin 2014, të propozuar nga Kryesia e Kuvendit. Këtë Propozim-program para deputetëve e paraqiti nënkryetari, Xhavit Haliti. Nënkryetari Haliti, njoftoi se në këtë program pune janë të përfshira miratimi dhe monitorimi i ligjeve, ratifikimi i marrëveshjeve si dhe aktivitetet të tjera, në të cilat Kuvendi do të jetë i fokusuar gjatë gjithë vitit.
Mbledhja ka vazhduar me shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Agjencinë e Menaxhimit Emergjent si dhe me Projektligjin për kimikate. Pas shqyrtimit të amendamenteve, Kuvendi ka miratuar të dyja projektligjet.
Pas kësaj, me iniciativë të deputetes Ganimete Musliu, (PDK) dhe deputetit Jeton Sfirca( KKR), përkrahur edhe nga deputetët e tjerë, Kuvendi ka zhvilluar debat lidhur me gjendjen e sigurisë në shkollat e Republikës së Kosovë. Në emër të iniciuesit të këtij debati, deputetja Musliu, ndër të tjera tha: "Jemi dëshmitar për rastet e dhunës që po ndodhin kohën e fundit në ambientet shkollore, ku statistikat tregojnë qe vetëm në vitin 2013 kemi hasë gjithësejt 315 raste të dhunës, qoftë në ambientet shkollore qoftë në afërsi te tyre". Në vijim ajo shtoi se në raportin e vitin 2012 kjo shifër ka shënuar rënie, por shqetësues mbetet fakti qe jemi ne fillim te vitit 2014 dhe për dy muaj kemi 3 vrasje, gjë që tregon se gjendja e sigurisë në shkolla është alarmante dhe kërkon trajtim urgjent nga institucionet e vendit. Në emër të Grupit Parlamenatr të PDK-së, foli deputeti Elmi Reqica. Ai me këtë rast tha se për sigurinë më të madhe në shkolla, duhet të rrisim performancën e procesit edukativo-arsimor, të sigurojmë që shkollat të jenë më bashkëvepruese në referim dhe trajtim të rasteve të dhunës me institucionet e tjera relevante. Ai po ashtu është shprehur se shkollat duhet të sigurohen në aspektin fizik me infrastrukturë përcjellëse.
Në emër të Grupit Parlamenatr të LDK-së, deputeti Anton Quni, ndërkaq, ka folur për rëndësin që me këtë problematik të merren seriozisht institucionet kompetente. Ai ka përshkruar rreziqet me të cilat ballafaqohet secili nxënës që nga nisja për në shkollë dhe kthimi në shtëpi. Pasiguria, tha Quni, nisë me mbipeshën e qantave të nxënësve, udhëtimi po ashtu është i pasigurt si dhe ambienti në të cilin do të vijojnë mësimin.
Përfaqësuesi i VV-së, Faton Topalli, pasi në mënyrë kronologjike ka folur për rastet e dhunës në shkolla, po ashtu ka kritikuar ashpër institucionet përgjegjëse. Ai bëri thirrje për një organizim më të mirëfilltë për të vendosur sigurinë në shkolla.
Sipas përfaqësuesit të AAK-së, Burim Ramadani, dukurit e dhunës janë shfaqur në mungesë të një strategjie për sigurinë në shkolla. Ai tha se siguria në shkolla është shumë komplekse dhe varet nga shumë faktorë.
Sipas deputetit, Jeton Sfirca, nga radhët e KKR-së, ndërkaq, siguria në shkolla duhet të jetë angazhim permanent i të gjitha institucioneve relevante në Kosovë. Duke folur lidhur me këtë çështje, nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti, vlerësoi se në shkolla duhet të jenë të angazhuar psikologë dhe sociologë. Në debatin lidhur me këtë pikë të rendit të ditës u angazhuan edhe deputetët: Shaip Muja, Sadri Ferati, Myfera Shinik, Teuta Haxhiu, Myzejene Selmani, Lumnie Morina, Nazane Breca, Amir Ahmeti, Lumnie Morina, Kimete Bajraktari, Xhevahire Izamku, Gëzim Kelmendi, Albin Kurti e të tjerë. Gjatë debatit është shfaqur shqetësim për gjendjen e sigurisë në shkolla, sidomos pas rasteve të dhunës që kanë ndodhur në mujët e fundit në disa nga shkollat në Kosovë. Po ashtu, diskutuesit kanë bërë thirrje që të merren masa të menjëhershme, në mënyrë që nxënësit të vijojnë mësimin në një ambient të sigurt.
Pas kësaj, fjalën e mori ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Ai tha se patrullimi më i shpeshtë afër shkollave është i nevojshëm, por, për fenomenet e dhunës duhet marrë masa para se ato të ndodhin. Sipas tij, duhet angazhuar më shumë në një bashkëpunim të mirëfilltë të raporteve prind-nxënës dhe mësimëdhënsëve.
Ministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ndërkaq, vlerësoi se për sigurinë në shkolla ndikojnë shumë faktorë. Ai po ashtu premtoi se Ministria që ai udhëheqë do të bëjë ç'mos që të ketë siguri në 1161 shkollat e Kosovës.
Pas kësaj, u vendos që rekomandimet lidhur me këtë të harmonizohen në mes të grupeve parlamentare dhe të hedhën në votim në mbledhjen e nesërme, e cila do të fillojë në ora 10.