Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti një delegacion nga Shoqata e naftëtarëve të Kosovës

E Enjte, 27.02.2014




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim një delegacion nga Shoqata e naftëtarëve të Kosovës, të kryesuar nga Fadil Berjani,
Kryetar i shoqatës, Berjani, paraqiti para kryetarit shqetësimet e kësaj shoqate lidhur me kërkesën për fiskalizimin e pikave të karburantit, përkatësisht, çmimin e arkave fiskale.
Ai tha se çmimi i arkave fiskale, me të cilat është kërkuar të pajisen pikat e karburantit, është tepër i lartë dhe rrjedhimisht, i papërballueshëm për shumicën e pronarëve të tyre. Berjani tha se naftëtarët nuk janë kundër fiskalizimit, por janë të pakënaqur me çmimin e arkave dhe pamundësinë për të zgjedhur në mesin e një numri më të madh të operatorëve.
Kryeparlamentari Krasniqi, pasi dëgjoi shqetësimet e përfaqësuesve të naftëtarëve, vlerësoi se Kushtetuta e vendit nuk lejon krijimin e monopoleve në asnjë lëmë. Kreu i Kuvendit tha se monopolizimi dëmton shumicën e bizneseve, e në mënyrë të veçantë qytetarët. Kësisoj, ai përsëriti qëndrimin për të respektuar procedurat legjislative për çdo çështje që adresohet në Kuvend, sipas rregullores.