Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion
E Mërkure, 26.02.2014
Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Arben Gashi, u shqyrtua dhe u përkrah për procedim në lexim të parë Projektligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës. Ky projektligj është shqyrtuar në bazë të draft-ligjit të spastruar, i proceduar nga Komisioni ad-hoc për reformën zgjedhore, të cilit i ka kaluar mandati.
Pasi u përkrahën një sërë propozimesh për ndryshime në amendamente të caktuara dhe projektligji në tërësi, u sqarua se Komisioni do të ndryshojë amendamente edhe mes dy leximeve.
Tutje, anëtarët e Komisionit kanë shqyrtuar dhe përkrahur edhe pesë raporte me amendamente të komisioneve funksionale të këtyre projektligjeve: Projektligjit nr. 04/L-192 për Transplantimin e Indeve dhe Qelizave, Projektligjit nr. 04/L-221 për Institutin e Kosovës për Administratë Publike, Projektligjit nr. 04/L-236 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 04/L-033 për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për Çështjet në Lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, si dhe Projektligjit nr. 04/L-232 për Shërbimin Gjeologjik të Kosovës. Ndërkaq, sa i përket njoftimeve me shkresën e Kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, si dhe shkresën e Sindikatës së shërbimit civil të Kosovës lidhur me grevën në Departamentin e mjekësisë ligjore, u theksua se kjo çështje është jashtë fushëveprimit të këtij komisioni.