Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Mërkure, 26.02.2014
Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetarja e komisionit, Vjosa Osmani, u shqyrtua Projektligji për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditorit të Republikës së Kosovës, me amendamentet e komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. Me këtë rast, kryetarja e komisionit paraqiti disa propozime të Komisionit për Integrime Evropiane, ndërkaq shpalosi edhe disa nga vërejtjet e Zyrës së Bashkimit Evropian lidhur me këtë projektligj.
Të pranishëm në këtë mbledhje ishin edhe kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Ali Sadriu, nënkryetari Ramiz Lladrovci, si dhe anëtarja e këtij komisioni, Valbona Dibra, të cilët dhanë sqarimet e nevojshme rreth këtij projektligji.
Më tej, anëtarët e komisionit përkrahën edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Projektligjin nr. 04/L-232 për Shërbimet Gjeologjike të Kosovës, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës, me amendamentet e komisioneve funksionale nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.