Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa
E Mërkure, 26.02.2014
Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Naser Osmani, zv/kryetar i parë i komisionit, shqyrtoi katër projektligje dhe një propozim.
Komisioni shqyrtoi dhe përkrahu Projektligjin për Institutin e Kosovës për Administratë Publike, Projektligjin për Shërbimin Gjeologjik të Kosovës dhe atë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, me amendamentet e komisioneve funksionale, duke vlerësuar se kostot financiare që bartin këto projektligje janë të përballueshme për buxhetin e shtetit.
Me një amendament shtesë, u përkrah edhe Projektligji për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, me amendamentet e komisionit funksional.
Më pas, komisioni shqyrtoi Propozimin e Panelit Seleksionues të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për plotësimin e një pozite për anëtar joekzekutiv të Bordit të BQK-së, dhe e procedoi për votim në seancë plenare, me vlerësimin se kandidatët i përmbushin kushtet e përgjithshme ligjore.