Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti një delegacion nga Bundestagu gjerman

E Marte, 25.02.2014




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim një delegacion nga Bundestagu gjerman, të kryesuar nga deputeti Johannes Selle, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë, perspektivën evropiane të saj, si dhe për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.

Duke iu uruar mirëseardhje në Kosovë, kryeparlamentari Krasniqi i njoftoi parlamentarët gjermanë me proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë, duke i shpalosur edhe sfidat dhe vështirësitë me të cilat ai po përballet.

Kryetari i Kuvendit u ndal te nevoja për liberalizimin sa më të shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe për një zhvillim më të hovshëm ekonomik, i cili, siç tha Krasniqi, do të mundësonte krijimin e vendeve të punës, veçanërisht për të rinjtë.

Duke e çmuar lart interesimin dhe përkrahjen e Gjermanisë për Kosovën dhe qytetarët e saj në të gjitha proceset, kryeparlamentari Krasniqi kërkoi mbështetjen e mëtejshme të saj për tejkalimin e sfidave me të cilat po përballet vendi ynë.

Duke konfirmuar mbështetjen e Berlinit zyrtar për Kosovën edhe në të ardhmen, udhëheqësi i delegacionit gjerman, Johannes Selle, u fokusua te nevoja për investime në ekonomi dhe në krijimin e perspektivës për të rinjtë, si mundësi për tejkalimin e problemeve ekonomiko-sociale. Lidhur me këtë, ai kujtoi përvojën e Gjermanisë me pjesën lindore të saj, pas viteve të '90-ta.

Deputeti Selle çmoi të arriturat e Kosovës në fushën e integrimit evropian dhe garantoi mbështetjen e vendit të tij në këtë proces.

Gjatë takimit, parlamentarët gjermanë u interesuan edhe për zhvillime të tjera në vendin tonë, veçanërisht në rrafshin politik.

 

 

Kryeparlamentari Krasniqi priti një delegacion nga Bundestagu gjerman