Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Marte, 25.02.2014




Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Zenun Pajaziti, ka diskutuar lidhur amendamentimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Me këtë rast, u vu re nevoja e ngutshme e ndryshimit të këtij ligji, i cili nga të pranishmit u cilësua si pengesë e zhvillimit ekonomik të vendit.

Në emër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik foli zëvendësministri i kësaj ministrie, Ramadan Hasani. Ai vlerësoi se Ligji për AKP-në duhet të ndryshohet, ndërsa u shpreh se gjatë fazës së amendamentimit të tij do të bashkëpunojnë ngushtë me AKP-në.

Edhe zv. kryesuesi i Bordit të AKP-së, Skender Komoni, pasi njoftoi për punën dhe sfidat të cilat e kanë përcjellë këtë Agjencion, u shpreh në favor të ndryshimit të Ligjit. Ai tha se gjatë amendamentimit duhet kushtuar rëndësi eliminimit të dobësive, të cilat aktualisht përmban ligji. Me këtë rast, ai tërhoqi vëmendjen në rregullimin e neneve që do të përcaktojnë mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të Bordit, sepse sipas tij, kjo është e meta më e madhe e ligjit në fuqi.

Në vijim të debatit, anëtarët e komisionit kanë ngritur një varg çështjesh që kanë të bëjnë me privatizimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Sipas tyre privatizimi nuk ka sjellë zhvillim ekonomik, ndërsa moskopletimi i Bordit të AKP-së ka dëmtuar rëndë interesat e punëtorëve të ish ndërmarrjeve publike. Pas përfundimit të debatit, iniciativës së komisionit për ndryshimin e këtij ligji iu përgjigjën përfaqësuesit e AKP-së, të cilët morën përgjegjësinë që në bashkëpunim me MZHE-në të propozojë amendamentet për ndryshimin e ligjit. Ata u zotuan se punës për amendamentimin e ligjit do t'i qasen menjëherë, duke premtuar po ashtu procedimin e shpejtë të tij.

Në këtë mbledhje, komisioni ka shqyrtuar dhe përkrahur amendamentet e Projektligjit për themelimin e Agjencisë për Shërbimet e Navigacionit Ajror, të cilat i ka paraqitur deputeti, Lutfi Zharku. Pas kësaj, ky projektligj do të procedohet për lexim të dytë në mbledhje plenare të Kuvendit.

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...