Lajmet e fundit
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës
E Hënë, 24.02.2014
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës , në mbledhjen e saj të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka konfirmuar rendin e ditës për seancën e së enjtes, më 27 shkurt, ( të miratuar në mbledhjen e saj të 19 shkurtit), duke e plotësuar atë me disa pika të tjera të rendit të ditës.
Pas shterimit të pikave të përhershme të seancave të rregullta: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për hua për Projektin e magjistrales Prishtinë-Mitrovicë, ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Në vazhdim të seancës do të shqyrtohet Planit i Veprimit për negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit për vitin 2014, si dhe Propozim-programi i Punës së Kuvendit për vitin 2014.
Në të njëjtën seancë për herë të parë do të shqyrtohet Projektligji për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kurse për herë të dytë do të shqyrtohen : Projektligj për Agjencinë e Menaxhimit Emergjent dhe Projektligji për kimikate.
Në seancën e 27 shkurtit parashihet të zhvillohen tri debate parlamentare: debat parlamentar lidhur me gjendjen e sigurisë në shkollat e Republikës së Kosovë, debat parlamentar lidhur me gjendjen e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë, si dhe debat lidhur me procesin e privatizimit të IGK "Ballkan", në Suharekë.
Duke e shqyrtuar Iniciativën qytetare për fillimin e nismës ligjore për ndryshimin e Ligjit nr. 03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, Kryesia ka konstatuar se Kuvendi, në këtë fazë, vetëm njoftohet për nismën legjislative.
Sa i përket kërkesës së Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale për radhitjen në shqyrtim të dytë në seancë plenare të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre, Kryesia ka vendosur që edhe një herë të kërkojë nga Komisioni për Buxhet dhe Financa dhe Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim që ta shqyrtojnë Projektligjin me amendamentet e propozuara dhe Komisionit Funksional t'ia paraqesin Raportin me rekomandime. Ndryshe, projektligji do të radhitet për miratim në seancë edhe pa rekomandimet e këtyre dy komisioneve, është thënë në takim.
Kryesia ka shqyrtuar edhe kërkesën e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së lidhur me procedimin dhe miratimin e Projektligjit për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Projektligji në fjalë është proceduar nga Qeveria në Kuvend më 20 shkurt 2014, ndërsa sot do t'u shpërndahet deputetëve, por konform Rregullores së Kuvendit, ai mund të shqyrtohet për herë të parë vetëm pas datës 11 mars 2014.