Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Mërkure, 19.02.2014




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme, të kryesuar nga Naser Osmani, zv/kryetar i parë i komisionit, shqyrtoi katër projektligje.

Ministri i Financave, Besim Beqaj, paraqiti dhe arsyetoi para komisionit Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për hua për projektin e magjistrales Prishtinë-Mitrovicë ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Marrëveshjen për hua, ministri Beqaj e konsideroi të leverdishme për Kosovën dhe në kuadër të rregullës fiskale përkitazi me borxhin publik.

Pas diskutimeve, komisioni e përkrahu projektligjin dhe e procedoi tutje në Kuvend.

Në vazhdim, komisioni miratoi amendamentet për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës dhe e procedoi për shqyrtim në komisionet e tjera kryesore të Kuvendit.

Në këtë mbledhje, u përkrahën edhe dy projektligje, me amendamente të komisioneve funksionale: Projektligji për transplantimin e indeve dhe qelizave dhe Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publikë dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtar, me vlerësimin se ato nuk përmbajnë implikime shtesë buxhetore.

 

 

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa