Lajmet e fundit
Diskutim publik për mbikëqyrjen e Ligjit nr. 04/L-062 për Fshatin Hoqa e Madhe dhe Ligjit nr. 04/L-066 për Qendrën Historike të Prizrenit
E Marte, 18.02.2014
Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, të cilin e ka kryesuar zonjusha Jasmina Zhivkoviqi, kryetare e Komisionit, mbajti sot diskutim publik për mbikëqyrjen e Ligjit nr. 04/L-062 për fshatin Hoqa e Madhe dhe Ligjit nr. 04/L-066 për Qendrën Historike të Prizrenit.
Në diskutimin e cekur publik, krahas anëtarëve të Komisionit morën pjesë edhe ambasadori i Greqisë në Prishtinë, njëkohësisht edhe përfaqësues i Bashkësisë Evropiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë, z. Dimitris Moschopolos, përfaqësuesit e Ministrisë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Planifikim Hapësinor, si dhe përfaqësuesit e ambasadës Zvicerane në Prishtinë, përfaqësuesit e OSBE-së dhe të ECMI Kosova.
Në këtë diskutim publik kryetarja e Komisionit, z. Zhivkoviq, theksoi se Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, në bazë të mandatit dhe në emër të kompetencave që dalin nga fushëveprimtaria e tij, në prill të vitit të kaluar e formoi grupin punues për të mbikëqyrur në terren zbatimin e Ligjit për fshatin Hoqa e Madhe dhe Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit. Ky grup punues gjer më tani ka vizituar komunën e Prizrenit dhe atë të Rahovecit, në kuadër të mbikëqyrjes së këtyre ligjeve në terren. Duke shprehur shqetësimet për implementimin e këtyre ligjeve që thuaja se nuk është filluar nga zeroja, kryetarja Zhivkoviq, theksoi se gjatë mbikëqyrjes së zbatimit të këtyre dy ligjeve të rëndësishme në terren ka mjaft probleme. Gjer më tani në komunën e Rahovecit nuk është formuar Këshilli për Implementimin e Ligjit nr. 04/L-062 për fshatin Hoqa e Madhe, ndërsa në komunën e Prizrenit pjesërisht është i plotësuar me anëtarë ky Këshill për mbikëqyrjen e Ligjit nr. 04/L-066 për Qendrën Historike të Prizrenit. Për ndryshe Grupi punues, si dhe përfaqësuesit e të dy komunave kanë kërkuar ndihmë dhe këshilla nga Ministria për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Planifikim Hapësinor në lidhje me implementimin e këtyre dy ligjeve.
Në vazhdim të këtij diskutimi duke marrë pjesë në diskutim përfaqësuesja e Ministrisë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Planifikim Hapësinor theksoi se ministria i ka angazhuar ekspertët e UNDP-së në lidhje me përgatitjen e Projektit të udhëzimit administrativ për implementimin e këtyre ligjeve dhe se i njëjti do të duhej të jetë i gatshëm dhe i harmonizuar me të gjitha palët e interesuara, deri në mesin e muajit të ardhshëm.
Përfaqësuesi i UE-së për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe në Kosovë z. Dimitris Moschopoulos theksoi se UE është e interesuar që të ruhet trashëgimia kulturore dhe fetare në Kosovë, si dhe të ngritët niveli i ruajtjes së saj. Ai theksoi se për zbatimin e këtyre ligjeve në terren UE ka formuar Këshillin mbikëqyrës dhe bën çdo gjë për implementimin e plotë të këtyre ligjeve në terren në bashkëpunim me organet lokale. Në fund duke folur për atë se këto dy ligje janë në përbërje të Planit të Ahtisarit për Kosovën dhe për këtë shkak duhet që plotësisht të implementohet në terren, z. Moschopoulos tha se shpreson se në kohën më të shkurtër në komunat e Prizrenit dhe të Rahovecit do të zbatohen këto ligje në tërësi.
Në këtë diskutim publik anëtarët e këtij Komisioni e shprehen pakënaqësinë e tyre që për të satën herë edhe pse me kohë i kanë bërë ftesë zyrtare, Ministri për Mbrojtjen e Ambientit dhe Planifikim Hapësinor, z. Dardan Gashi, si dhe dy kryetarët e komunave të Prizrenit dhe Rahovecit nuk iu kanë përgjigjur ftesës për të marrë pjesë në takimin e këtij Komisioni dhe se duhet kërkuar nga përfaqësuesit e këtyre komunave që sa më parë t'i formojnë këshillat për implementimin e këtyre ligjeve në terren.