Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Marte, 18.02.2014
Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetarja e komisionit, Vjosa Osmani, raportoi sot zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, lidhur me takimin e Dialogut të Strukturuar në Fushën e Sundimit të Ligjit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesve të institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe foli për pozicionin e qeverisë lidhur me rishikimin strategjik të BE-së për misionin e EULEX-it në Kosovë dhe për shumë çështje të tjera që u ngritën nga anëtarë të komisionit.
Më tej, në komision ka raportuar edhe u.d. i ministrit për Tregti dhe Industri, Bernard Nikaj. Në këtë takim ai ka raportuar lidhur me procesin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, duke u përgjigjur më tej edhe në pyetjet e anëtarëve të komisionit në çështje të ndryshme.
Në vijim të mbledhjes, anëtarët e Komisionit kanë shqyrtuar dhe përkrahur tri projektligje, me amendamentet e komisioneve funksionale, nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. Me këtë rast, ata përkrahën Projektligjin për transplantimin e indeve dhe qelizave, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, si dhe Projektligjin për Institutin e Kosovës për Administratë Publike.