Lajmet e fundit
Nga Seanca solemne në përvjetorin e gjashtë të Pavarësisë së Kosovës
E Hënë, 17.02.2014
Në praninë e mysafirëve të shumtë: deputetë nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë, përfaqësues të mekanizmave ndërkombëtarë në Kosovës, ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë në Kosovë, personalitete të ndryshme që i kontribuuan lirisë dhe iluminizmit të popullit të Kosovës, si dhe me intonimin e himnit të Kosovës është hapur sot Seanca solemne për nder të gjashtëvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Fjalë rasti në këtë përvjetor të rëndësishëm kanë mbajtur kryetari i Kuvendit të Kosovës, dr. Jakup Kraniqi dhe kryeministri, Hashim Thaçi, të cilët kanë vlerësuar lart aktin historik të shpalljes së Pavarësisë dhe kontributin e sa e sa gjeneratave që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
"Data e 17 shkurtit 2008 do të mbetet përjetësisht në historinë e Kosovës, si kurorë e përpjekjeve shekullore të popullit tonë për liri, pavarësi, demokraci dhe dinjitet njerëzor", ka theksuar në fjalën e tij kryeparlamentari Krasniqi, i cili ka spikatur se shpallja e Pavarësisë ishte akt historik, por të cilit i ka paraprirë një proces i gjatë çlirimtar, i mbuluar me lavdi, me gjak e sakrifica të panumërta. Ai ka përkujtuar se shpalljes së Pavarësisë i ka paraprirë një luftë titanike për jetë a vdekje, që simbolizohet me emrin emblemë të komandantit legjendar, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari.
" Sot Kosova përulet me pietet para kujtimit dhe veprave të pashlyeshme të brezave të tërë që u shkrinë për atdheun e tyre, për lirinë dhe përparimin e tij" ka theksuar kreu i Kuvendit, duke shtuar se drejtësia e çështjes së Kosovës, mbrojtja e vlerave demokratike botërore dhe e të drejtave njerëzore e bëri forcën e bashkuar të miqve tanë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Evropian e të NATO-s, të gjenden përkrah Kosovës së sfilitur në çastet më të rënda historike, për çka u ka shprehur mirënjohjen më të thellë.
Më pastaj Krasniqi ka folur për të arriturat e vendit në gjashtë vitet e Pavarësisë, të cilat e kanë konfirmuar transformim dhe zhvillimin e qytetarëve të barabartë të vendit, si faktor kredibil paqendërtues dhe bashkëpunues me demokracitë përreth dhe kudo në botë.
"Kosova e pavarur për gjashtë vjet rresht, nuk e ka rrezikuar as dëmtuar askënd, sepse ajo si projekt dhe realitet është mbështetur dhe themeluar mbi vlerat e larta të demokracisë moderne amerikane e europerëndimore", ka vënë në pah Krasniqi, i cili ka pohuar se vendi ynë i ri ka nevojë të mësojë nga shembujt e mirë, por edhe të këqij, të të tjerëve, që të na përsëritet historia, as si farsë as si tragjedi.
"Vendi ynë ka hyrë, tashmë, në projektin e madh dhe historik të integrimeve euroatlantike", ka thënë kreu i Kuvendit të Kosovës, duke shtuar se përcaktimi i popullit të Kosovës për vlerat evropiane dhe evoatlantike është baza dhe garancia e këtij projekti.
Duke qenë i bindur se Kosova do t'u qëndrojë besnike vlerave mbi të cilat është themeluar si shtet dhe demokraci; do t'i qëndrojë besnike vetvetes, por edhe miqve të saj, duke qenë në partneritet të plotë me ta në synimin për një shoqëri dhe shtet modern, demokratik e paqësor, të anëtarësuar në OKB e në organizma tjerë ndërkombëtarë, kryeparlamentari Krasniqi e ka përmbyllur fjalën e tij duke u uruar deputetëve dhe qytetarëve të Kosovës gjashtë vjetorin e Pavarësisë.
Duke shprehur respektin më të thellë për të gjithë ata që kontribuuan për lirinë e Kosovës,kryeministri i Kosovës , Hashim Thaçi , në fjalën e tij të rastit ka përkujtuar: "Në këtë sallë, gjashtë vjet më parë, ne bashkërisht kemi finalizuar aspiratat dhe përpjekjet e shumë gjeneratave që na kanë paraprirë në rrugën tonë të gjatë të lirisë dhe pavarësisë". "Ne kemi vënë në jetë ëndrrat të një populli të tërë për liri, duke finalizuar një luftë të gjatë të mundimshme për pavarësi", ka theksuar Thaçi, duke kujtuar me respekt të madh luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sakrificën e gjithë qytetarëve të Kosovës për liri, në Kosovë dhe diasporë.
"Kujtojmë punën e vazhdueshme të Presidentit Rugova. Respektojmë heroizmin e pashoq të Komandantit legjendar Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Shkelzen dhe Luan Haradinaj, Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit, Agim Ramadani, Sali Çeku, Ilaz Kodra dhe shumë komandantëve që e vulosën lirinë dhe pavarësinë e Kosovës", ka thënë kryeministri Thaçi, duke shprehur nderimet dhe mirënjohjen më të lartë për sakrifiën e tyre dhe të mijëra atdhetarëve të tjerë, që na e mundësuan këtë ditë të lirisë dhe të pavarësisë që ne gëzojmë sot.
Duke pohuar dhimbjen që ndjejmë për vëllezërit dhe motrat tona të rënë apo të zhdukur, që kanë punuar për këtë realitet të sotëm që po e jetojmë, Thaçi ka spikatur: "Ne kemi dëshmuar se dimë të kthejmë dhimbjen në forcë. Nuk jemi zhytur në depresion prej pikëllimit, por kemi ditur të ngrihemi në këmbë dhe të marrim vet në duar të ardhmen e vendit tonë".
Kryeministri Thaçi edhe në përvjetorin e gjashtë të Pavarësisë ka falënderuar të gjitha shtetet perëndimore që ndihmuan në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. "Shpreh mirënjohjen e thellë dhe dua të falënderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Francën, Italinë, dhe të gjitha shtetet aleate perëndimore, të cilat besuan në kauzën tonë të drejtë dhe na ndihmuan për të siguruar lirinë dhe pavarësinë", ka theksuar Thaçi, duke shprehur mirënjohje dhe falënderim të veçantë për kontributin e shtetit shqiptar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
"Dua t'i siguroj aleatët tanë se në Kosovë e kanë gjetur një mik mirënjohës dhe besnik të përhershëm", ka theksuar kryeministri, duke pohuar sfidat e shumta të cilat e presin vendin tonë.
"Shumë sfida të mëdha ngelin para nesh dhe ne të gjithë së bashku duhet të jemi të përgatitur për të bërë përpjekjet dhe sakrificat e duhura për t'i kaluar ato", ka thënë Thaçi. Ndër to ai ka përmendur mbajtjen me sukses të zgjedhjeve lokale në gjithë territorin e vendit, si dhe bisedimet me Serbinë, me ndërmjetësim të BE-së, të cilat, ka pohuar ai, mundësuan ushtrimin e sovranitetit dhe të zbatimit të ligjit në gjithë territorin e Kosovës, si dhe të sundimit të ligjit në gjithë vendin.
"Gëzuar Ditën e Pavarësisë dhe Zoti e bekoftë Kosovën dhe qytetarët e saj", tha kryeministri Hashim Thaçi në përmbyllje të fjalës së tij në seancën solemne kushtuar gjashtëvjeorit të Pavarësisë së Kosovës.