Lajmet e fundit
Fjalimi i kryeministrit në Kuvendin e Republikës së Kosovës me rastin e shënimit të gjashtë vjetorit të Ditës së Pavarësisë
E Hënë, 17.02.2014
E nderuara presidente e Republikës së Kosovës, zonja Jahjaga;
I nderuar kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Krasniqi;
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës;
Të nderuar ambasadorë dhe mysafirë të pranishëm;
Të nderuar qytetarë të Kosovës;
Zonja dhe Zotërinj;
Jemi mbledhur sot këtu së bashku për të festuar ditëlindjen e Kosovës dhe unë dëshiroj t'ju përcjell juve dhe çdo qytetari të Kosovës, urimet më të përzemërta për përvjetorin e gjashtë të pavarësisë!
Po në këtë sallë, gjashtë vjet më parë ne bashkërisht kemi finalizuar aspiratat dhe përpjekjet e shumë gjeneratave që na kanë paraprirë në rrugën tonë të gjatë.
Ne kemi vënë në jetë ëndrrat e një populli të tërë për liri duke finalizuar një luftë të gjatë e të mundimshme për pavarësi.
Prandaj sot kujtojmë me respekt të madh luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kujtojmë dhe respektoj sakrificën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, për liri. Kudo që ishin, në Kosovë e diasporë. Kujtojmë punën e presidentit Rugova, kujtojmë heroizmin e pashoq të komandantit legjendar Adem Jashari, të komandantit Zahir Pajaziti, Shkelzene Luan Haradinaj, Fehmi dhe Xhevë Lladrofci, Agim Ramadani, Sali Çekut, Ilaz Kodrës dhe shumë e shumë heronjve tjerë që e vulosën lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në këtë ditë të shenjtë, unë bashkë me ju dhe gjithë qytetarët e Kosovës shprehim nderimet dhe mirënjohjen më të lartë, përkulemi me nderë përpara veprës së dëshmorëve që kanë dhënë jetën për të mundësuar këto ditë të lirisë e pavarësisë që gëzojmë sot.
Kjo është padyshim një ditë gëzimi dhe lumturie për ne.
Por gjatë festimit të pavarësisë ne ndiejmë gjithashtu dhimbje në zemrat tona për motrat e vëllezërit tanë të rënë apo të zhdukur që kanë punuar për këtë realitet të sotshëm që po jetojmë, por fatkeqësisht nuk janë mes nesh.
Mirëpo, ne kemi dëshmuar se dimë ta kthejmë dhimbjen në forcë.
Nuk jemi zhytur në depresion prej pikëllimit, por kemi ditur të ngrihemi në këmbë e të marrim vetë në duar fatet e vendit tonë.
Përfitoj gjithashtu nga ky rast për të shprehur mirënjohjen e thellë si kryeministër i Republikës së Kosovës dhe në emër të qytetarëve të Kosovës dua të falënderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Francën, Italinë dhe të gjitha shtetet aleate perëndimore të cilat besuan në kauzën tonë të drejtë dhe na ndihmuan për të siguruar lirinë e pavarësinë.
Një mirënjohje e veçantë shkon për shtetin shqiptarë, për kontributin që ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Unë edhe sot, dua ti siguroj aleatët tanë se tek Kosova kanë për të gjetur një mik mirënjohës dhe një besnikëri të përhershme e të pakushtëzuar. Faleminderit shumë!
Falënderim për Shtete e Bashkuara të Amerikës për vendet e Bashkimit Evropian dhe NATO-n.
Të nderuar pjesëmarrës, 15 vite liri e 6 vjet pavarësi nuk janë shumë për historinë e një popullit por ne gjithsesi kemi bërë shumë në kaq pak kohë.
Në një kohë rekord ne ndërtuam nga zero institucionet shtetërore, organet e sigurisë dhe drejtësisë, dhe shërbimin diplomatik.
Mandej me një proces të lodhshëm të dialogut me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe përkrahjen e fuqishme të SHBA-ve, arritëm marrëveshjen e parë historike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Nëpërmjet kësaj marrëveshje, ne arritëm të sigurojmë respektimin e sovranitetit tonë shtetëror, rendit kushtetues dhe ligjeve tona, në gjithë territorin e Kosovës.
Si rezultat, kemi zhbërë strukturat ilegale në veri të vendit, kemi filluar procesin e integrimit në institucionet legale të Kosovës, kemi mbajtur zgjedhjet e para lokale demokratike në tërë territorin e vendit, dhe i kemi dhënë fund anarkisë atje duke e shtrirë sundimin e rëndit dhe ligjit.
Ne të gjithë duhet të ndihemi krenarë sepse sfidat me të cilat është përballur vendi ynë janë të jashtëzakonshme dhe të pakrahasueshme.
Të nderuar deputetë;
Qytetarë të Kosovës;
Vizioni i Kosovës së pavarur është ai i një shteti demokratik dhe të zhvilluar.
Një Kosove që është e bashkuar pavarësisht prej ndasive të opinionit, bindjeve apo përkatësisë etnike apo fetare.
Një Kosovë që është e gatshme ta merr vendin që i takon në familjen e shteteve të lira të botës, që jeton në paqe me të gjithë fqinjët e saj dhe që përmbush me përgjegjshmëri obligimet ligjore dhe morale në arenën ndërkombëtare.
Ne duhet të vazhdojmë të punojmë për të ndërtuar një Kosovë ku puna, iniciativa individuale, talenti, kreativiteti, këmbëngulja e çdo individi respektohet dhe shpërblehet.
Një Kosovë ku sundon ligji, ku mbrohet prona private e kontratat, ku inkurajohen iniciativat private dhe garantohet konkurrenca e lirë e mundësitë e barabarta.
Një vend ku shtresat sociale trajtohen me dinjitet në mënyrë që asnjë mos të ngelet jashtë përfitimeve që vijnë prej progresit dhe zhvillimit të shoqërisë sonë.
Një Kosovë ku çdo qytetar të mund të jetojë me dinjitet, respekt për vetveten, me shpresë e mirëqenie.
Ne që kemi jetuar për dekada të tëra në robëri, e dimë sa e shtrenjtë është liria, e prandaj do bëjmë çmos që të punojmë që kosovari i thjeshtë të gëzoj maksimumin e lirive individuale në çdo fushë.
Pasi fituam lirinë politike do të punojmë pa pushim për rritjen e lirisë ekonomike, për garantimin e të gjitha lirive dhe të drejtave të njeriut si dhe zbatimin shembullor të të drejtave të pakicave.
Ne kemi bërë shumë përpjekje për ta përkthyer këtë vizion në realitet nëpërmjet nismave legjislative, reformave, politikave apo programeve të ndryshme qeveritare dhe sot kam të drejtë të them se jemi duke ecur në drejtimin e drejtë.
Ne të gjithë duhet të kontribuojmë për shtëpinë tonë dhe mënyrën se si ajo shihet në botë.
Përmirësimi i imazhit të vendit tonë është vendimtar jo vetëm për përpjekjet tona diplomatike për ta futur Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara por edhe për zhvillimin ekonomik.
Duhet ti tregojmë mbarë botës se Kosova ka akomoduar plotësisht sipas standardeve më të larta të gjitha komunitetet pakicë që jetojnë në Kosovë, e në veçanti komunitetin serbë duke garantuar stabilitetin e brendshëm të vendit dhe kemi arritur marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve tona me Serbinë.
Të nderuar deputet,
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Mysafir të nderuar,
Pas zgjedhjeve dinjitoze lokale të vitit të shkuar ne po dëshmojmë se demokracia jonë funksionon në mënyrë normale.
Kjo dëshmon se ne e kemi merituar besimin e dhënë nga partnerët tanë ndërkombëtar.
Më lejoni ta mbyll duke ju thënë se shumë sfida të mëdha ende ngelen para nesh dhe ne të gjithë së bashku duhet të jemi të përgatitur për të bërë përpjekjet dhe sakrificat e duhura për t'i kaluar ato.
Megjithatë unë jam i bindur se ne do t'i kapërcejmë këto sfida pasi kemi dëshmuar se kemi kapërcyer sfida edhe më të mëdha në një të kaluar jo dhe aq të largët.
Prandaj të nderuar deputetë, bashkëqytetarë të mi kudo që jeni, gëzuar Ditën e Pavarësisë dhe Zoti e bekoftë Kosovën dhe qytetarët e saj.
Faleminderit!