Lajmet e fundit
Fjalë e kryetarit Krasniqi në hapje të Seancës solemne të Kuvendit për nder të përvjetorit të gjashtë të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës
E Hënë, 17.02.2014
E nderuar presidente e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga
I nderuar Kryeministër, zoti Hashim Thaçi
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë në Kosovë
Të nderuar kolegë deputetë
Të nderuara familje të dëshmorëve
Të nderuar miq dhe mysafirë
Të nderuar qytetarë të Kosovës
Zonja dhe zotërinj
Në hapje të kësaj seance solemne të Kuvendit, për nder të përvjetorit të gjashtë të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më lejoni t'ju drejtohem me disa fjalë rasti.
Data e 17 shkurtit 2008 do të mbetet përjetësisht në historinë e Kosovës, si kurorë e përpjekjeve shekullore të popullit tonë për liri, pavarësi, demokraci dhe dinjitet njerëzor. Shpallja e Pavarësisë ishte akt historik, por të cilit i ka paraprirë një proces i gjatë çlirimtar, i mbuluar me lavdi, me gjak e sakrifica të panumërta, i ka paraprirë një luftë titanike për jetë a vdekje, që simbolizohet me emrin emblemë të komandantit legjendar, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Sot Kosova përulet me pietet para kujtimit dhe veprave të pashlyeshme të brezave të tërë që u shkrinë për atdheun e tyre, për lirinë dhe përparimin e tij.
Drejtësia e çështjes së Kosovës, mbrojtja e vlerave demokratike botërore dhe e të drejtave njerëzore e bëri një forcën e bashkuar të miqve tanë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të Bashkimit Evropian e të NATO-s, e cila iu gjet përkrah Kosovës së sfilitur në çastet më të rënda historike. Në këtë ditë solemne, ne u drejtojmë atyre mirënjohjen tonë të thellë, bashkë me zotimin e vendosur për miqësinë dhe bashkëpunimin tonë të përkushtuar.
Gjashtë vjet të pavarësisë, Kosovën e kanë konfirmuar si vend i transformimeve dhe zhvillimit, si atdhe të qytetarëve të barabartë, si faktor kredibil paqendërtues dhe bashkëpunues me demokracitë përreth dhe kudo në botë. Kosova e pavarur për gjashtë vjet rresht, nuk e ka rrezikuar as dëmtuar askënd, sepse ajo si projekt dhe realitet është mbështetur dhe themeluar mbi vlerat e larta të demokracisë moderne amerikane e europerëndimore. Në Kosovë është vendosur rend kushtetues që bazohet në parimet e lirisë, paqes e demokracisë.
Zonja dhe zotërinj
Republika jonë e re ka moshën e një fëmije që sapo fillon shkollën dhe mësimin. Para saj shpërfaqet në horizontin e kaltër e ardhmja plot sfida, por e sigurt. Ne kemi nevojë të mësojmë nga shembujt e mirë, por edhe të këqij, të të tjerëve, kemi nevojë të mësojmë të kaluarën për të mos na u përsëritur historia, as si farsë as si tragjedi, kemi nevojë të mbajmë gjallë amanetin e themeluesve të pavarësisë së Kosovës, për lirinë, për nderin dhe begatinë e vendit e popullit që përfaqësojmë.
Vendi ynë, ka hyrë tashmë në projektin e madh dhe historik të integrimeve euroatlantike. Përcaktimi i popullit të Kosovës për vlerat evropiane dhe evoatlantike është baza dhe garancia e këtij projekti. Procesi reformues, shpeshherë me dhembje dhe kosto të lartë, lufta e pakompromis kundër krimit e korrupsionit dhe sigurimi i sundimit të ligjit e rendit, ngritja ekonomike dhe luftimi i varfërisë e papunësisë, janë padyshim, sfidat më të rënda të Kosovës në rrugën drejt së ardhmes së aspiruar.
Zonja dhe zotërinj
Kosova do t'u qëndrojë besnike vlerave mbi të cilat është themeluar si shtet dhe demokraci, do t'i qëndrojë besnike vetvetes, por edhe miqve të saj, duke qenë në partneritet të plotë me ta në synimin për një shoqëri dhe shtet modern, demokratik e paqësor, të anëtarësuar në OKB e në organizma tjerë ndërkombëtarë.
Faleminderit.