Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi u prit nga presidenti Nishani dhe kryeparlamentari Meta

E Premte, 14.02.2014




Kryetari i Kuvendit të Kosovës , dr. Jakup Krasniqi, në kuadër të qëndrimit të tij në Tiranë, ku po merr pjesë në Forumin e 6-të publik, të organizuar nga Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave , u prit sot në takime të ndara nga presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

Duke i uruar mirëseardhje kryekuvendarit Krasniqi, presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, vlerësoi lart bashkëpunimin që po zhvillohet ndërmjet institucioneve të Shqipërisë dhe të Kosovës në të gjitha fushat. Presidenti Nishani u angazhua edhe për nevojën e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në lëmin ekonomik.

Kryekuvendari Krasniqi u prit në një takim edhe nga kryetari i Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta. Në takim u theksuan rezultatet që po arrihen në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve , por edhe ndërmjet institucioneve tjera të Shqipërisë dhe Kosovës. Bashkëbiseduesit shtruan nevojën që të bëhet më shumë në harmonizimin e termave juridike në legjislacionin e të dy shteteve.

Në të dy takimet u shfaq gatishmëria e Shqipërisë për të ndihmuar Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane.

Kryekuvendari Krasniqi u prit në një takim edhe nga kryetari i Partisë Demokratike dhe njëherësh, kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

 

Foto nga takimi i kryekuvendarit Krasniqi me presidentin Nishani