Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi merr pjesë në forumin “Kosova : shteti më i ri evropian”, që po mbahet në Tiranë

E Premte, 14.02.2014




Kryetari i Kuvendit të Kosovës , dr. Jakup Krasniqi, po merr pjesë në Forumin e 6-të publik në Tiranë , të organizuar nga Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave . Me këtë rast kryekuvendari Krasniqi iu drejtua të pranishmëve me kumtesën :"Rrethanat që përgatitën pavarësinë e Kosovës". Duke i bërë një vështrim historik vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, si burim i konflikteve të reja në Ballkan, kryekuvendari Krasniqi theksoi ndër të tjera se shpërbërjen e Perandorisë Osmane dhe dëbimin e saj nga pjesa dërrmuese e Ballkanit e shpejtuan shumë kryengritjet shqiptare të shekullit XIX dhe sidomos ato të fillimshekullit XX, veçmas ato të viteve 1908-1912, të cilat u pasuan nga dy luftërat e ashpra ballkanike për grabitjen e territoreve të huaja. Në këto luftëra fituan hapësira të reja tokësore në dëm të trojeve shqiptare Serbia, Greqia dhe Mali i Zi. Më të humburit në këto luftëra e ndarje të reja dolën shqiptarët. Shqiptarët pa dyshim qenë humbësit më të mëdhenj, jo vetëm nga luftërat që ishin tepër tragjike, por sidomos nga padrejtësia e vendimeve të Fuqive të Mëdha, të marra në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Në vijim z. Krasniqi tha se një korrigjim, ndonëse jo i plotë i asaj padrejtësie është bërë në Bisedimet e Vjenës (2006-2007), të udhëhequra nga emisari special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Marti Ahtisari, ish-presidenti finlandez, i cili (korrigjim) u formalizua në Kuvendin e Kosovës më 17 shkurt 2008 nga përfaqësuesit e zgjedhur të qytetarëve të Kosovës. Ligjshmëria e Pavarësisë se Kosovës u konfirmua në vitin 2010 edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Marti Ahtisari, duke i njohur raportet serbo-shqiptare të dekadës se fundit të shekullit XX, ishte bindur për padrejtësinë historike që u ishte bërë shqiptareve, prandaj ai ishte i vendosur për t'i bërë një korrigjim padrejtësisë historike të Konferencës së Ambasadorëve në Londër.

Lëvizja Studentore e vitit 1981 qe shndërruar në një Lëvizje për Republikën e Kosovës

Në vazhdim të fjalës së tij z. Krasniqi foli për kontekstin ndërkombëtar të shpalljes së pavarësisë se Kosovës, më 17 shkurt 2008, duke e ilustruar këtë me ngjarjet paraprijëse të tërheqjes së BRSS-së nga Afganistani dhe rrëzimin e Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989 (që simbolizonte luftën e demokracisë kundër totalitarizmit), të cilat ishin mesazhe të qarta se përfundimi i Perandorisë Sovjetike do të hapë një proces të ri politik në shkallë ndërkombëtare. Gjithë zhvillimet që ndodhën në vendet e Evropës Lindore, bile dhe përtej tyre, konfirmojnë një gjë të tillë, ndonëse elementet e para kundër totalitarizmit ishin shfaqur në Poloni nga "Lëvizja e Solidarnostit" (1979-1980) dhe në Kosovë nga "Lëvizja Studentore" e vitit 1981, e cila qe shndërruar në një Lëvizje për Republikën e Kosovës. Kjo lëvizje pati një mbështetje të gjerë nga politika e Shqipërisë se kohës dhe vendet e demokracisë perëndimore. "Sot themi pa hezituar, se ajo lëvizje e bëri bashkë në vlerësime, ndoshta për herë të parë haptazi, politikën e Shqipërisë me qëndrimet e vendeve Euroatlantike", pohoi z. Krasniqi.

Gjendja ekonomike nuk mund t'i përballojë shpenzimet për nevojat e institucioneve shtetërore më shumë se të dublifikuara

Pasi i bëri një vështrim procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë, kryetari Krasniqi u ndal në rrethanat që i paraprinë Pavarësisë së Kosovës, sidomos daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, e cila u bë institucioni dhe instrumenti i vetëm për realizimin e aspiratës së shqiptarëve të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci. Ishte instrumenti i vetëm kundër dhunës që ushtronte pushtuesi serb gjatë dekadave në Kosovë. Drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë meritën historike pse ditën të organizojnë dhunën demokratike kundër pushtuesit, si vlerë për lirinë e popullit të Kosovës me luftë çlirimtare, pse ditën të marrin vendimin e guximshëm për çlirimin e vendit. Vetëm lufta çlirimtare e nxori në rend të ditës çështje e Kosovës dhe e shtroi atë për zgjidhje serioze e të qëndrueshme politike. Pas UÇK-së një ngjarje tjetër që i ka paraprirë Pavarësisë së Kosovës, pa dyshim që ka qenë Konferenca Ndërkombëtare e Rambujesë për Kosovën, e cila, jo vetëm që i hapi rrugën bombardimeve të NATO-s në Federatën Jugosllave (Serbi - Mal i Zi), por do të linte hapur mundësinë që pas tri vitesh të hapej rruga e Pavarësisë së Kosovës. Pas përfundimit të Konferencës së Rambujesë dhe të nënshkrimit të njëanshëm të saj nga Delegacioni i Kosovës, me përfaqësuesit amerikanë e evropianë (BE), u hap rruga për bombardimet e NATO-s, të cilat filluan më 24 mars 1999. Këto bombardime sollën për Kosovën dhe qytetarët e saj më shumë sesa parashihej në Dokumentin Përfundimtar të Rambujesë, pasi më 21 qershor 1999 e gjithë makineria policore, ushtarake dhe administrata e dhunshme serbe, u larguan nga Kosova. Në vazhdim z. Krasniqi foli për periudhën e administrimit ndërkombëtar të Kosovës dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, si dhe për bisedimet gati dyvjeçare të Vjenës, mes Beogradit e Prishtinës, nën udhëheqjen e emisarit special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Marti Ahtisarit. Dokumenti përfundimtar ishte dokument i kompromisit, pra nuk ishte vullnet i imponuar i asnjë pale, e më së paku i palës shqiptare (të Kosovës).Bisedimet që i udhëhoqi Marti Ahtisari, në mënyrë të pashmangshme çuan në propozimin e tij për Pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës, e cila u formalizua me shpalljen e saj, më 17 shkurt të vitit 2008, kur në Kuvendin e Kosovës u votua Deklarata e Pavarësisë nga 109 deputetë, përfshirë dhe Kryetarin e Kuvendit, të pasuar edhe nga Presidenti dhe Kryeministri i Kosovës. Deklarata e Pavarësisë e parashihte "Republikën e Kosovës shtet të pavarur, sovran dhe demokratik" . Konfirmimi u formalizua pas shpalljes së rezultatit të votimit nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Republika e Kosovës - shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, tashmë është njohur ndërkombëtarisht nga mbi 106 vende, por ende nuk është anëtarësuar në OKB. Më 3 shtator 2012, Grupi Drejtues Ndërkombëtar mori vendimin për heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa më 10 shtator në Kuvendin e Kosovës u amendamentua Kushtetuta për heqjen e neneve të mbikëqyrjes së pavarësisë dhe gjithashtu u ndryshuan 21 ligje që lidhen me këtë proces, ndërsa EULEX-it iu vazhdua mandati edhe për një periudhë dyvjeçare.


Në mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj serbe, në Bruksel, zhvillohen bisedime me ndërmjetësimin e zonjës Eshton. Këto bisedime filluan si bisedime teknike (më pas u shndërruan në bisedime politike) për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, të udhëhequra nga kryeministri serb, Daçiq dhe ai i Kosovës, Thaçi. Bisedimet me rezultate minore po vazhdojnë edhe në përvjetorin e gjashtë të pavarësisë e me gjasë do të vazhdojnë edhe pas këtij përvjetori. Bisedimet janë duke u vazhduar, por një normalizim substancial i marrëdhënieve Kosovë - Serbi ende ka shumë të panjohura e hijezime. Ndoshta një e arritur mund të konsiderohen zgjedhjet për pushtet lokal të mbajtura në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, por as këto nuk janë pa shumë të panjohura.


"Njëqind vjet të Pavarësisë së Shqipërisë, pesëmbëdhjetë vjet të lirisë dhe gjashtë vjet të pavarësisë së Kosovës, si dhe trembëdhjetë vjet nga Marrëveshja e Ohrit kanë konfirmuar vështirësitë e zgjidhjes së drejtë, të qëndrueshme politike, ekonomike e të sigurisë për popullin shqiptar në trojet e tij dhe të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi. Këto fakte, para faktorëve politik shqiptar, sigurisht në koordinim edhe me faktorët tjerë të vendosjes, shtrojnë nevojën për të kërkuar një zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme politike, ekonomike dhe të sigurisë për popullin shqiptar dhe rajonin tonë në përgjithësi. Gjendja e tashme financiare dhe ekonomike e popullit shqiptar në përgjithësi, nuk mund t'i përballoj shpenzimet për nevojat e institucioneve shtetërore më shumë se të dublifikuara", theksoi kryetari i Kuvendit të Kosovës", në përfundim të fjalës së tij.