Lajmet e fundit

Nga mbledhja plenare e Kuvendit

E Enjte, 13.02.2014




Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme plenare, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar (pjesë të saj u kryesuan nga nënkryetarët: Sabri Hamiti e Glauk Konjufca), shqyrtoi për herë të parë gjashtë projektligje, një projektligj në lexim të dytë, si dhe formoi Komisionin Ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media.
Mbledhja filloi me pikën e zakonshme, diskutime jashtë rendit të ditës, ndërsa pyetjeve të deputetëve iu përgjigj ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ai i Punës e Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq.

Me propozim të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Skemat pensionale të financuara nga shteti u hoq nga rendi i ditës dhe u kthye për ripunim në komisionin funksional. Ndërsa, me propozim të nënkryetarit Hamiti dhe kryetares së Komisionit për Integrime Evropiane, Vjosa Osmani, me qëllim të plotësimit të mëtejmë të tij, nga rendi i ditës u hoq propozim-programi i punës së Kuvendit për vitin 2014.

Kuvendi vijoi punën me shqyrtimin e projektligjeve në parim. Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, paraqiti para deputetëve Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për regjistrimin e bujqësisë. Gjatë arsyetimit të projektligjit, ministri Stavileci tha se regjistrimi bujqësor në Kosovë paraqitet si nevojë e menjëhershme, për faktin se, sipas tij, një regjistrim i tillë në vendin tonë nuk është bërë që nga viti 1960.

Pas mbështetjes nga ana e grupeve parlamentare, Kuvendi miratoi projektligjin në shqyrtim të parë dhe e ngarkoi komisionin përkatës për amendamentimin e tij.

I një rëndësie të veçantë, u konsiderua edhe Projektligji për themelimin e Agjencisë për shërbimet e navigacionit ajror. Duke e prezantuar atë para deputetëve, ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, tha se nëpërmjet këtij projektligji, i cili parasheh themelimin e agjencisë për navigacionin ajror, qeveria ka mbajtur si përgjegjësi të shtetit shërbimet e navigacionit ajror, gjë e cila, sipas tij, ka rëndësi edhe në forcimin e sovranitetit të vendit.

Me disa vërejtje dhe sugjerime, edhe ky projektligj u miratua në shqyrtim të parë.

Projektligjin për Shërbimin mjekësor emergjent, e prezantoi ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani. Në fjalën e tij, ministri tha se ligji aktual nuk ka arritur të zbatohet në tërësi dhe për rrjedhojë, është shtruar nevoja e plotësim-ndryshimit të tij. Në projektligj, shtoi Agani, përcaktohen kushtet, organizimi dhe mënyra e funksionimit të shërbimit mjekësor emergjent.

Duke i dhënë projektligjit përkrahjen e grupeve të tyre parlamentare, deputetët shtruan nevojën e rregullimit sa më të mirë ligjor të kësaj fushe, e cila, sipas tyre, prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të vendit.

Pas diskutimeve, Kuvendi miratoi projektligjin në shqyrtim të parë, duke i hapur rrugë amendamentimit të tij në komisionin përkatës funksional.
U miratua, gjithashtu, edhe Projektligji për shëndetin mendor, të cilin, po ashtu e prezantoi ministri Agani.

Një elaborim më të gjerë, ministri i Shëndetësisë i bëri Projektligjit për sigurimin shëndetësor, të cilin, ai e konsideroi pjesë të rëndësishme të kornizës reformuese legjislative për shëndetësinë e Kosovës. Ministri Agani tha se ky projektligj është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me gjithë faktorët relevantë vendorë dhe ndërkombëtarë, ndërsa për shkak të ndjeshmërisë dhe kompleksitetit të tij, ka pasur rrugë të gjatë të elaborimit, rreth tre vjet. Ministri tha se miratimi i këtij projektligji, do t'i mundësojë shëndetësisë së Kosovës avancimin drejt sistemeve bashkëkohore shëndetësore, ndërsa qytetarëve, sigurimin e qasjes universale ndaj shërbimeve cilësore shëndetësore. Sigurimet shëndetësore, shtoi ministri Agani, do të organizohen si sigurime shëndetësore të obligueshme dhe vullnetare.

Edhe deputetët e konsideruan projektligjin të shumëpritur, të nevojshëm dhe me rëndësi të veçantë për qytetarët e Kosovës, i cili, sipas tyre, rregullon themelimin dhe organizimin e sistemit të sigurimeve shëndetësore.

Pas diskutimeve, deputetët njëzëri miratuan projektligjin dhe shprehën përkushtimin për të dhënë kontributin e tyre në plotësim-ndryshimin e tij gjatë punës në komisione.

Kuvendi miratoi në parim edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara, të cilin e prezantoi ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq.

Në shqyrtim të dytë, ndërkaq, u miratua Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, si dhe u formua Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Mediave.

 

 

Nga mbledhja plenare e Kuvendit