Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...
E Mërkure, 12.02.2014
Në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, të kryesuar nga Suzan Novobërdali, u diskutua lidhur me ecuritë e zbatimit të Ligjit Nr. 04/L-054 për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,Viktimave Civile dhe Familjeve të Tyre, lidhur me personat e zhdukur. I pranishëm në këtë takim ishte edhe ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Nenad Rashiq.
Anëtarët e komisionit fillimisht shfaqën kritika të shumta për mos implementimin e këtij ligji, duke theksuar faktin se në këtë ligj ekzistojnë shumë mangësi. U dha po ashtu propozimi për nevojën e plotësim-ndryshimit të ligjit, përkatësisht për çështjen e personave të pagjetur.
U tha po ashtu se në ligj duhet definuar më saktë edhe statusi i të pagjeturve. Kritikat e anëtarëve të komisionit drejtoheshin edhe ndaj zyrtarëve të kësaj ministrie nëpër komuna.
Sa i përket këtyre zyrtarëve, ministri Rashiq, tha se lidhur me këtë çështje do të formojnë një grup, për të verifikuar gjendjen në komuna. Ndërkaq, sa i përket beneficioneve të familjarëve të të pagjeturve, për të cilën çështje anëtarët e komisionit kërkuan sqarime, ministri Rashiq tha se deri më tani është zbatuar ligji dhe se janë të gatshëm të përkrahin propozimin për rishikimin e ligjit, me theks të veçantë për kategorinë e personave të zhdukur.
Edhe përfaqësues të familjarëve të zhdukur në Mitrovicë, theksuan se kjo kategori është e përjashtuar nga pushteti, ndërkaq shpalosën disa rekomandime. Mes tjerash u rekomandua se të rinjtë që i takojnë kësaj kategorie, të familjarëve të personave të zhdukur, duhet të kenë përparësi në punësim. Edhe sa i përket bursave për shkollim dhe qëndrimi nëpër konvikte i studentëve të kësaj kategorie, u tha se duhet të kenë përparësi.
U kërkua që familjarët e personave të pagjetur të gëzojnë benefite të njëjta me kategoritë tjera në këtë ligj.
Ministritë përkatëse duhet të rregullojnë këtë çështje me akte nënligjore apo udhëzime administrative. Ndërsa, u shfaq propozimi se Ligji duhet të procedohet për plotësim-ndryshim. Për këtë çështje, anëtarët e komisionit, kërkuan përkrahje dhe bashkëpunim nga ministri Rashiq, i cili u dakordua se gabimet duhet korrigjuar.