Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

E Marte, 11.02.2014




Lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Bajram Rexhepi, ka raportuar sot në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetarja, Vjosa Osmani.

Ministri Rexhepi ka folur për të arriturat dhe sfidat që janë duke e përcjellë këtë proces, ndërsa vlerësoi se është bërë punë e pakursyer në përmbushjen e të gjitha obligimeve që ka MPB-ja.

Duke folur për Kornizën Strategjike, e cila është kërkuar me Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave, ministri Rexhepi njoftoi se janë miratuar disa nga strategjitë e kërkuara, si: strategjia dhe Plani i Veprimit për riintegrimin e personave të riatdhesuar, Plani i Veprimit për migracion, Plani i Veprimit për menaxhimin e integruar të kufirit, Plani i Veprimit kundër narkotikëve, Plani kundër trafikimit me qenie njerëzore, Plani kundër trafikimit më armë, si dhe Plani i Veprimit kundër krimit të organizuar. Ndër të arriturat më domethënëse në këtë proces, ai vlerësoi integrimin e pjesëtarëve të strukturave të MUP-it serb në policinë e Kosovës. Lidhur me këtë ai sqaroi se deritash, nga kjo strukturë, në policinë e Kosovës janë integruar 285 persona. Personat e integruar, sqaroi ai, u janë nënshtruar ligjeve dhe normave të policisë së Kosovës. Po ashtu, sipas ministrit, rëndësi të posaçme ka edhe prodhimi i pasaportave dhe letërnjoftimeve biometrike, të cilat siç tha ai, janë duke u prodhuar me cilësi të lartë sipas standardeve më të avancuara të shteteve të BE-së. Duke folur për procesin e riintegrimit të personave të riatdhesuar, ministri Rexhepi vuri në pah se në Kosovë çdo vit riatdhesohen 4800 deri në pesëmijë veta. Lidhur me këtë, ai po ashtu u shpreh se numri i madh i azilkërkuesëve nga Kosova, ndikon negativisht në procesin e liberalizimit të vizave. Një ndër sfidat e tjera të këtij procesi, ministri i MPB-së Rexhepi nënvizoi edhe obligimet që dalin nga kreu u tretë i Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave, e që ka të bëjë me sigurinë dhe luftën kundër korrupsionit. Për përmbushjen e plotë të obligimeve që dalin nga Udhërrëfyesi për Liberalizimin e Vizave, Rexhepi u shpreh i bindur se ekziston vullnet politik dhe korniza ligjore. Në vijim të paraqitjes së tij, ministri ka folur edhe për deklarimet e Raportueses së KE-së për Kosovën, znj. Lunaqek, për demarkacionin e kufirit me Serbinë, si dhe procesin e gradimit të pjesëtarëve të MUP-it, tashmë të integruar në policinë e Kosovës.

 

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane