Lajmet e fundit
Vazhdimi i mbledhjes plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës
E Marte, 11.02.2014
Vazhdimi i mbledhjes se sotme plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë u kryesua nga nënkryetari Sabri Hamiti) filloi me votimin e rekomandimeve nga debati parlamentar lidhur me zhvillimet në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina". Me këtë rast, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, shpalosi rekomandimet e harmonizuara mes grupeve parlamentare të LDK-së, AAK-së dhe VV-së. Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, tha se këto rekomandime nuk janë të harmonizuara nga debati i javës së kaluar (6 dhe 7 shkurt) dhe me zhvillimet e fundit dhe ndryshimet në UP, andaj kërkoi që të harmonizohen këto rekomandime. Po ashtu, ai kërkoi sqarime nga ministri Buja nëse MASHT-i ka ndonjë strategji të hartuar për të dalë nga situata e krijuar në këtë institucion.
Në emër të grupeve parlamentare (Ismet Beqiri, (LDK), Visar Ymeri, (VV) e Burim Ramadani, (AAK), theksuan se të gjitha rekomandimet e paraqitura janë të harmonizuara dhe janë ndryshuar pas gjendjes së ndryshuar në UP. Ata kërkuan që kjo çështje të votohet.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, pasi informoi deputetët lidhur me zhvillimet e fundit në UP dhe dorëheqjen e rektorit të UP-së, tha se MASHT-i do të veprojë konform ligjit që të ndërmarrë hapat e domosdoshëm në këto rrethana të jashtëzakonshme.
Ai kërkoi autorizim që Senati ta marrë përkohësisht menaxhimin e UP-së, derisa të procedohet Ligji në Qeveri dhe Kuvend. „Kjo kohë e menaxhimit nga vetë senati dhe kryesuesi i senatit, që nënkupton ushtruesin e detyrës së rektorit, do të jetë mundësia që të menaxhojë UP-në, derisa Kuvendi ta bëjë punën e vet, besoj të përshpejtuar, për ta realizuar ligjin dhe statutin më vonë. Kjo është mundësia për t'u bërë hapat e nevojshëm në UP", tha Buja.
Pasi votua edhe për të tretën herë për rekomandimet nga debati parlamentar lidhur me zhvillimet në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina", nuk u morën votat e nevojshme për miratim, pasi që për aprovimin e këtyre rekomandimeve, nevojiten votat e 61 deputetëve, ashtu siç e parasheh Gjykata Kushtetutese.
Më tej, deputetët shqyrtuan në lexim të parë edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet lidhur me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të cilin e paraqiti dhe arsyetoi ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli.
Pas deklarimit të grupeve parlamentare lidhur me këtë çështje, u shfaqën kritika ndaj Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për mos efikasitet të punës në këtë institucion dhe nevojën për ndryshimin e Ligjit për AKP-në.
Me shumicë votash , deputetët në vazhdim përkrahën në parim këto projektligje: Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet lidhur me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Projektligjin për krijimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit hapësinor në Republikën e Kosovës, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore.
Përkrahjen e deputetëve e mori edhe Plani Hapësinor për Parkun Kombëtar "Sharri".
Deputetët me votim të fshehtë emëruan z. Aleksandër Janiqeviq, anëtar në Bordin e RTK-së.
Ndërkaq, në kohën për pyetje parlamentare, deputetëve iu përgjigj ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani.