Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Hënë, 10.02.2014




Projektligji për Shërbimin Gjeologjik të Kosovës, ishte temë e dëgjimit të sotëm publik, organizuar nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, i kryesuar nga Zenun Pajaziti, kryetar i Komisionit.

Gjatë debatit lidhur me këtë projektligj, (i cili është hartuar me iniciativë të komisionit), ishin të pranishëm përfaqësuesit e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), asaj të Mjedisit dhe Planifikimit Hapsionor (MMPH), përfaqësues të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) si dhe përfaqësues nga Fakulteti i Gjeoshkencave.

Në emër të KPMM-së foli Ramiz Krasniqi, i cili tha se deri më tani, fusha që parashihet të mbulojë projektligji i propozuar, është menaxhuar nga KPMM-ja. Ai pasi u deklarua në mbështetje të projektligjit, qartësoi se KPMM, do të vazhdojë të lëshojë licenca dhe leje nga fusha e hulumtimeve gjeologjike.

Përfaqësuesi nga Fakulteti i Gjeoshkencave, Naser Peci, ndërkaq, vlerësoi se në projektligj duhet paraparë edhe arkiva e gjeoshkencave. Ai po ashtu deklaroi se Fakulteti i Gjeoshkencave, do të mbështesë komisionin deri në miratimin final të projektligjit.

Për këtë projektligj, në emër të MMPH-së foli edhe Nezir Çadraku. Ai vlerësoi se projektligji është i nevojshëm, ndërsa shtoi se Shërbimi Gjeologjik i Kosovës, duhet të jetë nën mbikëqyrjen e Kuvendit, e jo të ekzekutivit.

 

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...