Lajmet e fundit

Vazhdimi i mbledhjes plenare

E Premte, 07.02.2014




Në vazhdimin e mbledhjes së sotme plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, deputetët përkrahën zgjedhjen e Organit Përzgjedhës të Pavarur për emërimin e kryesuesit dhe të anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Deputetët, po ashtu përkrahën edhe propozimin e Grupit Parlamentar të LDK-së, për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare, si dhe propozimin e Grupit Parlamentar të SLS-së, për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.

Ndërkaq, sa i përket votimit të rekomandimeve lidhur me zhvillimet në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina", shefi i GP të LDK-së, Ismet Beqiri, paraqiti sërish rekomandimet e harmonizuara nga tri grupet parlamentare (LDK, Vetëvendosje, AAK).
Edhe Ramë Vataj, në emër të grupit parlamentar të PDK-së, paraqiti rekomandimet, lidhur me zhvillimet në UP.
Duke qenë se nuk është arritur harmonizimi i rekomandimeve të propozuara nga opozita dhe pozita, kurse deputetët kanë kërkuar që rekomandimet t'i kenë me shkrim, kjo çështje mbeti të zhvillohet në mbledhjen tjetër të radhës, meqë rekomandimet fillimisht duhet t'i dërgohen Zyrës për Parashtresa në Kuvend.

Më tej, në mungesë kuorumi dhe të kabinetit qeveritar, Kuvendi ndërpreu punimet. Për mbajtjen e vazhdimit të mbledhjes së radhës do të vendosë Kryesia e Kuvendit.

 

Vazhdimi i mbledhjes plenare Vazhdimi i mbledhjes plenare