Lajmet e fundit
Vjosa Osmani takoi Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerim në BE, Danielsson
E Enjte, 06.02.2014
Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu, u takua me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerim në BE, z. Christian Danielsson, me qellim të informimit dhe diskutimit të rolit të Komisionit për Integrime Evropiane në procesin e integrimit të Kosovës në BE, si dhe për obligimet e Kuvendit të Kosovës që dalin nga ky proces.
Kryetarja e Komisionit njoftoi delegacionin rreth punës dhe kompetencave të Komisionit për Integrime Evropiane, planit të punës së këtij Komisioni për vitin 2014 , si dhe lidhur me mbikëqyrjen e procesit të negocimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Ajo potencoi edhe rëndësinë e forcimit, në të ardhmen, të mandatit të Komisionit për Integrime Evropiane për mbikëqyrjen e procesit të integrimit evropian.
Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim në BE, Christian Danielsson, u shpreh i kënaqur me punën e këtij Komisioni dhe inkurajoi institucionet e Kosovës që të vazhdojnë me përmbushjen e obligimeve që kanë në procesin e integrimit evropian, e sidomos ato që do të dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.
Bashkëbiseduesit vlerësuan se liberalizimi i vizave, si proces jetik për qytetarët e Kosovës, lidhet me plotësimin e kritereve teknike nga ana e institucioneve të Kosovës.