Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit

E Enjte, 06.02.2014




Në mbledhjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, (një pjesë u kryesua nga nënkryetari Sabri Hamiti), gjatë kohës së deklarimit jashtë rendit të ditës foli edhe kryeparlamentari Krasniqi, lidhur me deklarimin e para disa ditëve të tre ish-agjentëve të sigurimit të shtetit të ish-Jugosllavisë se në Qeverinë e Kosovës dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës ka individ që spiunojnë Kosovën tek sigurimi shtetëror i Serbisë.
"Fjalën nuk do ta merrja nëse organet përkatëse që i ka Kosova, duke filluar nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare, dy komisionet parlamentare, si dhe Prokuroria e Kosovës të merreshin me atë çështje. Unë nuk dua të merrem me histori, por deklarimi i tre ish agjentëve të sigurimit të shtetit të Jugosllavisë, se edhe sot në Qeverinë e Kosovës, Kuvendin e Kosovës dhe Universitetin e Prishtinës, ka individ që spiunojnë Kosovën tek sigurimi i Serbisë, kjo është shqetësuese. Është shqetësuese edhe fakti se Kosova nuk e ka ende ligjin për të ndaluar spiunimet, por konsideroj se edhe komisionet parlamentare, edhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare, edhe Prokuroria, është dashur që dikush ta sheh përgjegjësinë për të pyetur njerëz dhe për të ditur se kush janë ata persona që sot pas 15 vjetësh punojnë për një shërbim të huaj, për një shërbim për të cilin e dimë se çfarë ka bërë gjatë 45-50 vjetëve në Kosovë.
Unë vlerësoj se kjo çështje duhet të merret parasysh dhe ata njerëz duhet t'i japin ata emra. Pastaj, edhe Kuvendi, edhe opinioni publik në Kosovë duhet ta dijë se kush vazhdon në të vërtetë ta spiunojë Kosovën në shërbimet sekrete serbe..". tha kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Në vijim të mbledhjes, deputetët debatuan lidhur me zhvillimet në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina", sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputetja Lirije Kajtazi, si inicuese e këtij debati, tha se LDK-ja konsideron se ngjarjet e fundit e kanë dëmtuar imazhin e Universitetit të Prishtinës dhe kjo sipas saj është pasojë e ndërhyrjeve sistematike të koalicionit qeveritar. Ndërkaq, sa i përket protestave, ajo konsideroi se protestat janë e drejtë kushtetuese, megjithatë shtoi, as kjo nuk duhet të ndikohet nga ndërhyrjet politike. Duke theksuar faktin se ditëve të fundit UP-ja po kalon nëpër vështirësi të shumta dhe duke përmendur mes tjerash edhe marrjen e mitos, gradimin, regjistrimin e studentëve jashtë kritereve, etj, Kajtazi, tha se kjo tregon nivelin në të cilin sot ka arritur UP-ja.
Më tej ajo paraqiti shtatë rekomandimet e LDK-së, lidhur me këtë çështje. U theksua se rektorit dhe Këshillit Drejtues të UP-së u ka humbur kredibiliteti për të udhëhequr me këtë institucion. Me këtë rast, u rekomandua se rektori i UP-së duhet të jap dorëheqje, si një akt të tyre moral, në mënyrë që t'i shërbejnë normalizimit të punës në UP.
Më tej, u theksua se duhet të vlerësohet përgjegjësia e Ministrisë së Arsimit për mospërcjelljen me kohë të këtyre zhvillimeve në UP dhe mos marrjen e masave ligjore në kohën e duhur.
"Qeveria e Kosovës të heqë dorë nga kontrolli i paligjshëm që ka vënë mbi UP-në dhe të respektohet autonomia e plotë e këtij institucioni.
Organet kompetente dhe prokuroria të kërkojnë përgjegjësi dhe t'i vënë para drejtësisë pjesëmarrësit në veprimet e kundërligjshme në universitet. Të respektohet statusi i universitetit për zgjedhjen dhe gradimin e stafit akademik dhe të revokohen zgjedhjet dhe gradimet e pamerituara.
MASHT-i së bashku me UP- në të përcaktojë politikat e regjistrimit në përputhje me kapacitetet akademike, fizike dhe financiare.
Të mos nëpërkëmbën profesorët dhe shkenctarët që janë pjesë e universitetit, të cilët kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë punë akademike të mirëfilltë shkencore dhe të gjithë akterët e përfshirë në proces duhet të angazhohen dhe ta ruajnë kredibilitetin dhe integritetin e mësimdhënsve në universitet", shpalosi rekomandimet e LDK-së, deputetja Lirije Kajtazi.


Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, duke kërkuar fillimisht debat konstruktiv lidhur me këtë çështje, tha se zhvillimet e fundit në UP janë shqetësuese për të gjithë , duke shtuar se të gjithë janë të interesuar që zhvillimet të shkojnë mbarë e mirë.
"Kjo gjendje na ka trazuar të gjithëve. Çështja në UP është diçka që ka rrugëzgjidhje dhe ka mundësi që kjo çështje të tejkalohet. Kjo gjendje më ka trazuar dhe njëkohësisht më ka gëzuar, për faktin se njëherë do të duhej filluar që kjo plojë dhe ky mbështjellim të zgjidhet", tha ministri Buja, duke shtuar se nuk është e mundur që ky problem të zgjidhet gjer në fund , por Kuvendi si institucion më i lartë ligjvënës, Qeveria, MASHT-i dhe Gjyqësori duhet të merren më këtë çështje.
Ministri Buja shtoi se si ministër i MASHT-it ka bërë të gjitha detyrat e tij të cilat i takojnë në bazë të ligjit, ndërsa u zotua se do të kryejë të gjitha detyrat sipas ligjit me synimin për të tejkaluar këtë krizë.

Ndërsa, deputeti Ramë Vataj, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, tha fillimisht se gjendja në universitet nuk është e mirë, por shtoi ai nuk mund ta bëjmë fajtor menaxhmentin apo MASHT-in. "Gjendja në institucionin e arsimit të lartë dhe shkencës në Kosovë, nuk është e mirë ose së paku jo ajo gjendje çfarë ne dëshirojmë të jetë. Nuk mund ta bëjmë fajtor menaxhmentin e tanishëm apo ministrin aktual, pasi që ndërtimi i sistemit arsimor është afatgjatë dhe proces në vazhdimësi", tha Vataj, duke përmendur edhe pasojat e viteve 90-ta në institucionet e atëhershme arsimore në Kosovë.
Më tej, deputeti Vataj shtoi se ndryshimi i gjendjes së rëndë mund të bëhet vetëm duke aplikuar kriteret të cilat i përdorë i gjithë komuniteti akademik dhe shkencor në mbarë botën.

Ai theksoi se nëse duhet të merremi me ata profesorë që publikojnë nëpër revista të dyshimta, duhet patjetër të merremi edhe me ata të cilët nuk publikojnë fare dhe në qetësi avancohen dhe marrin përfitime nga këto avancime.
"Senati i UP-së duhet të miratojë listën e revistave relevante ku mësimdhënësit mund të publikojnë punimet e tyre dhe ato punime mund të merren parasysh për avancime. PDK-ja dënon të gjitha shkeljet të cilat kanë ndodhur në UP, si ajo e regjistrimit në fakultete me para të studentëve, shitblerja e notave dhe falsifikimi i tyre,etj. Për këtë përkrahim dhe inkurajojmë organet e hetuesisë që të merren me hetime dhe të dënohen keqbërësit. Jemi kundër pranimeve dhe avancimeve të pamerituara në cilindo institucion të arsimit të lartë dhe të shkencës. Jemi për një punë transparente në të gjitha institucionet e arsimit të lartë dhe shkencorë, që të formohen komisionet vlerësuese të të gjitha fushave për të vlerësuar të gjitha diplomat e magjistraturës dhe doktoratave. Të shohin nëse ka plagjiatura në veprat e tyre dhe të sanksionohen me heqje të gradës.", tha Vataj, duke folur në emër të GP të PDK-së.

Ndërkaq, deputeti Afrim Kasolli, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje tha se ky institucion u shëndrrua në qendër të prodhimit të mashtrimit e të korruptimit, që më ketë qeverisje arriti majën kulmore, ashtu siç u dëshmua me skandalet e fundit.
"UP-ja është shëndrruar në një makineri për mobilizim partiak. UP-së sot i mungon intelektuali i përgjithshëm që krijon dije të reja.
Vetëvendosje konsideron se situata në universitet është urgjente dhe rekomandimeve të LDK-së, duhet shtuar disa propozime për të dalë nga kjo situatë. Këshilli Drejtues duhet të bëjë shkarkimin e rektorit Gashi. Komisioni i formuar nga senati i UP-së ta informojë me shkrim komisionin parlamentar mbi baza javore për gjetjet e tij lidhur me hetimet dhe publikimet e profesorvëve në këto revista të dyshimta. Nëse nuk ndodhin këto, UP-së ia garantojmë një vdekje akademike", tha Kasolli, duke kërkuar po ashtu edhe largimin e forcave policore nga hapësirat e universitetit.

Ndërsa, Teuta Haxhiu, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së, vlerësoi se gjendja e krijuar në UP është si rezultat i politizimit të skajshëm që i është bërë më vite këtij institucioni.
Ajo përmendi keqmenaxhimin e vazhdueshëm në UP, mos punën shkencore në këtë institucion, skenat korruptive, skandalet e vazhdueshme, etj, dhe shtoi se nuk është ndërmarrë asgjë për të parandaluar këto probleme.
Duke përmendur edhe kërkesën e AAK-së për dorëheqjen e rektorit Gashi, Haxhiu tha se pozita e rektorit është bërë pjesë e pazareve politike. Ajo kërkoi që të reflektohet përgjegjësi institucionale dhe morale dhe se politika duhet të largohet nga UP-ja dhe se gjendja aktuale në UP është rezultat i keq qeverisjes.


Jeton Svirca, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të Koalicionit Kosova e Re, tha se zhvillimet e fundit në UP tregojnë se situata duhet të ndryshohet dhe kjo sipas tij duhet të bëhet në bashkëveprim me organet e drejtësisë dhe MASHT-in.
"Të gjitha skandalet aktuale që janë duke e përcjellë UP-në paraqesin një barrë të rëndë në ndërgjegjen e institucioneve arsimore në të gjitha nivelet.
Hetimet për keqpërdorimet, për korrupsionin, me rastet e regjistrimit të studentëve në fakultetet e këtij universiteti dhe dhënia e paligjshme e provimeve, deri të arrestimet e profesorëve paraqesin alarmin e fundit se situata duhet të ndryshohet".
Svirca theksoi se është e padiskutueshme përgjegjësia e rektorit të UP-së dhe do të ishte e dëshirueshme që rektori Gashi të ofrojë shpjegim për opinionin lidhur me këtë çështje. Ndërsa, kërkoi që të fillohen procedurat për plotësim-ndryshimin e Ligjit për arsimin e lartë dhe Universitetin "Hasan Prishtina".

Gjatë këtij debati parlamentar foli edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Mes tjerash ai theksoi se që nga viti 1990 ka njerëz të cilët janë graduar pa merita në universitet, ndërkaq, përmendi se njerëz të politikës me plagjiatura janë bërë akademikë nga senati i UP-së.

Kryeministri Thaçi kërkoi mbështetjen e deputetëve për një rezolutë përmes së cilës do të mbështetej Senati i UP-së për verifikimin e të gjithë titujve akademikë dhe gradave shkencore në Universitet, që nga viti 1990, gjer më sot.
Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, tha se përgjegjësinë për formën e sistemit arsimor e ka Kuvendi, meqë ecuria e punës së UP-së, emërimet dhe të gjitha procedurat tjera janë bërë më rekomandimet e Kuvendit.
Ndërsa, shtoi se sistemi arsimor është më i avancuari në rajon. Ai ftoi grupet parlamentare që të ulen, të bisedojnë dhe të gjejnë formulimet adekuate që qojnë drejt një zgjidhje.

Pas diskutimeve të deputetëve lidhur me këtë çështje dhe pas sqarimeve që dha ministri Buja në çështjet që u ngritën gjatë këtij debati, fjalën e mori kryetari i GP të LDK-së, Ismet Beqiri, i cili paraqiti rekomandimet e harmonizuara nga tri grupet parlamentare:

1. Rektorit dhe Këshillit Drejtues të UP-së u ka humbur kredibiliteti për të udhëhequr me këtë institucion. Rektori i Universitetit "Hasan Prishtina", Ibrahim Gashi dhe anëtarët e Këshillit Drejtues duhet të japin dorëheqje dhe t'i shërbejnë procesit të normalizimit të punës në UP.

2. Të vlerësohet përgjegjësia e ministrit dhe Ministrisë së Arsimit për mospërcjelljen me kohë të këtyre zhvillimeve në UP dhe mosmarrjen e masave ligjore në kohën e duhur.

3. "Qeveria e Kosovës të heqë dorë nga kontrolli i paligjshëm që ka vënë mbi UP-në dhe nga përdorimi si vend akomodimi i tij për militantët e tij politik, si dhe të respektohet autonomia e plotë e këtij institucioni. Kësaj do t'i ndihmonin ndryshimet e domosdoshme në Ligjin e Arsimit të Lartë dhe në statutin e UP-së.

4. Organet kompetente duke përfshirë edhe prokurorinë të kërkojnë përgjegjësi dhe t'i vënë para drejtësisë pjesëmarrësit në veprimet e kundërligjshme në universitet.

5. Të respektohet statusi i universitetit për zgjedhjen dhe gradimin e stafit akademik dhe të revokohen zgjedhjet dhe gradimet e pamerituara dhe në kundërshtim me procedurat ligjore.

6. Komisioni i emëruar nga senati për shqyrtimin e revistave në të cilat kanë publikuar stafi akademik i UP-së, të informojë në baza të rregullta komisionin parlamentar për arsim.

7. MASHT-i së bashku me UP- në të përcaktojë politikat e regjistrimit në përputhje me kapacitetet akademike, fizike dhe financiare të UP-së dhe të harmonizuara me kërkesat e tregut të punës.

8. Të mos nëpërkëmbën profesorët dhe shkencëtarët që janë pjesë e universitetit, të cilët kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë punë akademike të mirëfilltë shkencore dhe të gjithë akterët e përfshirë në proces duhet të angazhohen dhe ta ruajnë kredibilitetin dhe integritetin e mësimdhënësve në UP.

Para se të shpalosen rekomandimet lidhur me këtë çështje deputetë nga radhët e pozitës lëshuan mbledhjen e Kuvendit.

Në mungesë kuorumi, punimet e mbledhjes së Kuvendit mbahen gjatë ditës së nesërme, duke filluar nga ora 10:00.

 

Mbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e Kuvendit