Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi mori pjesë në punimet e tryezës, mbajtur me rastin e Ditës Globale të Zgjedhjeve
E Enjte, 06.02.2014
Në kuadër të aktiviteteve të zhvilluara me rastin e Ditës Globale të Zgjedhjeve, kreu i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka marrë sot pjesë në tryezën e organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Tryeza është mbajtur në hotelin "Swiss Diamond", në Prishtinë, ndërsa përpos përfaqësuesve të KQZ-së, kanë marrë pjesë edhe ambasadorë të shteteve të ndryshme të akredituar në Kosovë, OJQ të shumta, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile. Me këtë rast, kryeparlamentari Krasniqi foli për reformën zgjedhore dhe nevojën e vullnetit politik për jetësimin e saj. "Dita Ndërkombëtare e Zgjedhjeve tash sa vite po shënohet në mbarë botën, duke u kthyer në një traditë të mirë për forcimin e proceseve demokratike në përgjithësi dhe të zgjedhjeve të drejta e transparente në veçanti", tha në fillim të fjalës së tij, kreu i Kuvendit, Krasniqi. Ai tutje shtoi se baza e demokracisë së një vendi dhe treguesi më i mirë i kulturës demokratike e politike të tij, janë zgjedhjet e lira. Duke folur për rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe imazhin që krijojnë ato, kreu i Kuvendit u shpreh:" Zgjedhjet e ndershme dhe të lira, korrekte dhe transparente, bëhen të besueshme e të pranueshme nga të gjithë dhe i japin legjitimitet të plotë kandidatëve të zgjedhur. Për më tepër, procesi zgjedhor kthehet në një faktor të fuqishëm reflektues në imazhin ndërkombëtar të vendit dhe në kredibilitetin e seriozitetin e tij". Në fund të fjalës së tij me këtë rast, kryeparlamentari Krasniqi po ashtu u shpreh:" Vota është e lirë dhe e shenjtë, por, duhet siguruar dhe mbrojtur për të mos humbur kuptimin themelor të saj".