Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi priti z. Christian Danielsson, drejtor gjeneral i Drejtoratit të Përgjithshëm për Zgjerim në KE

E Mërkure, 05.02.2014




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim z. Christian Danielsson, drejtor gjeneral i Drejtoratit të Përgjithshëm për Zgjerim në Komisionin Evropian. Në këtë takim merrte pjesë edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar. Duke u falënderuar për pritjen, z. Christian Danielsson theksoi se është i impresionuar me të arriturat në Kosovë. Z. Christian Danielsson në vijim tregoi interesim edhe për realizimin e obligimeve të Kuvendit në aspektin e realizimit të Planit që del nga MSA-ja ndaj Kuvendit të Kosovës. Mirëpo, në proceset që po zhvillohen në Kosovë, ka mbetur gjithsesi akoma për t' u punuar sidomos në luftën kundër korrupsioni,krimit të organizuar dhe dukurive të tjera negative, theksoi ai. Në këtë vështrim, shtrohen detyra edhe sa i përket qasjes ndaj zhvillimit më të hovshëm ekonomik. Kjo kërkon që të gjitha entitetet shtetërore të jenë në funksion të sfidave të gjithmbarshme që shtrohen para institucioneve dhe shoqërisë kosovare në tërësi. Komisioni Evropian do të ndihmojë Kosovën edhe sa i përket detyrave që dalin nga MSA-ja.

Kryekuvendari Krasniqi në fillim theksoi se sipas Planit të Veprimit për MSA-në nga Kuvendi kërkohet miratimi i 71 ligjeve, nga të cilat 27 ligje janë miratuar,në procedurë janë 14 , Qeverisë iu kanë kthyer 4, në Programin Legjislativ të Qeverisë për vitin 2014 të papërfshira janë 8 projektligje, ndërsa janë të përfshira në këtë plan 18 sosh. Obligimet e Kuvendit sipas Planit të veprimit të MSA-së janë pjesë e planit të punës së kommisioneve të Kuvendit dhe pjesë e programit të punës së Kuvendit për këtë vit dhe do të kenë prioritet në realizimin e tyre. Në vijim z. Krasniqi bëri një vështrim punës së institucioneve të pavarura, si dhe zgjedhjeve në këto institucione. Aktualisht, tha ai, është në procedurë çështja e zgjedhjes së Avikatit të Popullit, të cilit i përfundon afati në qershor. Ky proces do të kryhet brenda afatit, theksoi kryetari i Kuvendit. Në vijim kreu i legjislativit të vendit Krasniqi foli edhe për zgjedhjet në bordet e agjencive, si dhe në Gjykatën Kushtetuese,në të cilën duhet të zgjedhet një anëtar i ri vendës, meqë një vend është vakant, ndërsa së shpejti iu përfundon mandati edhe tre gjykatësve ndërkombëtarë në këtë Gjykatë.

Duke u përgjigjur në interesimet e mysafirëve rreth reformës zgjedhore, kreu i legjislativit të vendit , z. Krasniqi, theksoi se Parlamenti i Kosovës është i interesuar që me kohë të kryejë reformën zgjedhore, mirëpo ndikimet politike janë të mëdha në këtë segment."Megjithëkëtë, jemi të interesuar që reforma zgjedhore të kryhet sa më shpejt, ndërsa tërë materiali i Komisionit had hoc për reformën zgjedhore tashmë iu ka dorëzuar Komisionit për Legjislacion, i cili do të bëjë Projektligjin për zgjedhjet", pohoi kryekuvendari Krasniqi. Duke u ndërlidhur me ketë çështje shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, shfaqi mendimin se në procesin e reformës zgjedhore më shumë bien në sy disa ndryshime teknike. Ndërsa, përmendi edhe problemet me listat e votuesve, në të cilat ka edhe emra të të vdekurve, duke kërkuar që ato të pastrohen.

Përkitazi me këto çështje, kryekuvendari Krasniqi tha se në zgjedhjet e kaluara problem kryesor ishte mbrojtja e votave të kandidatëve të partive politike, ndaj ekziston një interesim i madh që vota të mbrohet dhe të jetë tregues i vërtetë i vullnetit të qytetarëve. Ndërkaq, problem është edhe çështja e mundësisë së votimit për qytetarët tanë që jetojnë në shtete të ndryshme të Evropës, por edhe në SHBA.

Bashkëbiseduesit ishin unik në konstatimin se bashkëpunimi i deritashëm ndërmjet Komisionit Evropian dhe Kosovës është shumë i mirë. Nga ana e mysafirëve u shpreh gatishmëri e lartë e Komisioni Evropian për të ndihmuar Kosovën në të gjitha këto procese.

 

Kryekuvendari Krasniqi priti z. Christian Danielsson, drejtor gjeneral i Drejtoratit të Përgjithshëm për Zgjerim në KE