Lajmet e fundit

U mbajt tryeza lidhur me Ligjin e punës dhe nivelin e zbatueshmërisë së këtij ligji

E Mërkure, 05.02.2014




Grupi i Grave Deputete (GGD), në bashkëpunim me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka mbajtur sot një tryezë me temën: Ligji i Punës dhe niveli i zbatueshmërisë së tij.
Fillimisht kryetarja e GGD-së, Teuta Sahatqija, gjatë diskutimit lidhur me këtë çështje tha se Ligji i Punës është njëri nga ligjet që më së shumti është i lidhur me jetën dhe mirëqenien e qytetarëve. Ajo sqaroi se GGD-ja ka qenë shumë aktive edhe gjatë draftimit të këtij ligji në Kuvendin e Republikës së Kosovës, deri në miratim. Megjithatë, shtoi Sahatqija GGD-ja ka pasur vëmendje që në vazhdimësi ta përcjellë nivelin e zbatueshmërisë së këtij ligji.
Ajo tha se edhe pse komisioni kompetent ka qenë mjaft i angazhuar lidhur me këtë ligj, GGD-ja konform objektivave të veta për promovimin e politikave afirmative drejt barazisë gjinore ka bërë mbikëqyrjen e Ligjit të Punës, me fokus në aspektin gjinor.
Sahatqija tha se duhet të kemi vëmendje të posaçme veç tjerash edhe sa i përket kontratave të punës, pushimit mjekësor, vjetor dhe atyre të festave, si dhe mbrojtjes në punë dhe kompenzimeve.
Ndërkaq, ministri i MPMS-së, Nenad Rashiq, tha se për zbatimin e Ligjit të punës është e rëndësishme që të eleminohet informaliteti në ekonomi, dhe sipas tij atëherë punëtorët do t'i gëzonin të drejtat e tyre konform ligjit.
Tutje, foli edhe Shukrie Rexhepi, nga BSPK-ja. Ajo theksoi se Ligji i Punës duhet të jetë më i favorshëm për punëmarrësin sa i përket kontratave të punës, pushimit mjekësor, punës jashtë orarit etj.
Kurse, zëvendëskryetarja e komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Time Kadriaj, tha se meqë ka një mori çështjesh që duhet rregulluar, Ligji i Punës duhet të shkojë në plotësim ndryshim. Ndërsa, Lumnie Hashani nga OEK-u paraqiti qëndrimet e bizneseve private lidhur me pushimin e lehonisë. Deputetja Blerta Deliu-Kodra vëri në theks edhe çështjen e sigurisë në punë. Në tryezë kontribuan edhe pjesëmarrës të tjerë.
Krejtësisht në fund, u dhanë rekomandimet të cilat do të përfshihen me rastin e plotësim-ndryshimit të këtij ligji.

U mbajt tryeza lidhur me Ligjin e punës dhe nivelin e zbatueshmërisë së këtij ligji