Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

E Marte, 04.02.2014




Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane, të kryesuar nga kryetarja e komisionit, Vjosa Osmani, u shqyrtua dhe u përkrah Projektligji nr. 04/L-230 për Agjencinë e menaxhimit emergjent, me amendamentet e komisionit funksional, nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

Më tej, anëtarët e komisionit shqyrtuan Planin e Veprimit për negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, për vitin 2014, duke u fokusuar në kriteret politike.
Me këtë rast ata u dakorduan që të mbajnë një punëtori për shqyrtimin e këtij plani, ndërkaq, shpalosën disa nga rekomandimet e komisionit dhe ndryshimet që duhet bërë në këtë dokument, i cili përmban 300 faqe. Mes tjerash u tha se duhet shtuar edhe pavarësia buxhetore e Kuvendit, siç është cekur edhe nga Raporti i Progresit të Komisionit Evropian, si dhe rritja e buxhetit për gjyqësorin dhe ajo e numrit të prokurorëve.

Temë diskutimi rreth këtij plani të veprimit për negocimin e MSA-së, ishte edhe shtimi i kompetencave të komisionit, me theks të veçantë për negocimin e Qeverisë së Kosovës me BE-në, që ka të bëjë me çështjet e integrimeve evropiane. U paraqit propozimi nëse Qeveria duhet të kërkojë mandat negociues në komision. Megjithatë, kjo çështje mbeti të diskutohet gjatë punëtorisë së komisionit lidhur me këtë çështje.

 

Mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane