Lajmet e fundit
GGD-ja u takua me një delegacion të lartë nga UNDP-ja, të udhëhequr nga znj. Sultanoglu
E Hënë, 03.02.2014
Grupi i Grave Deputete, priti sot një delegacion të UNDP-së, të kryesuar nga Cihan Sultanoglu, ndihmës-sekretare e Përgjithshme, Ndihmëse e Administratores së UNDP-së dhe Drejtoreshë e Byrosë Rajonale për Evropë dhe ish vendet e Bashkimit Sovjetik, e shoqëruar nga Andrew Russell, përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së për Kosovë dhe Koordinator i Agjencive të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Steliana Nedera, zëvendëse e Përfaqësuesit të Përhershëm të UNDP-së në Kosovë dhe Stefan Liller, specialist i programit nga Byroja rajonale për Evropë dhe ish-vendet e Bashkimit Sovjetik.
Fillimisht, kryetarja e GGD-së, Teuta Sahatqija, e njoftoi delegacionin e UNDP-së për angazhimet e GGD-së për fuqizimin e rolit tw gruas në shoqëri, veçanërisht në nivele të larta vendimmarrëse, si dhe për ta përmirësuar pozitën e saj në zbatimin e të drejtave, në siguri, pronë, ekonomi etj.
Duke përgëzuar deputetet për rolin e tyre në shoqëri, Sultanoglu theksoi rëndësinë e angazhimit lidhur me promovimin e barazisë gjinore, përkrahjen e grave në vendimmarrje, sidomos rëndësinë e përfshirjes së grave në qeverisjen lokale, luftimin e dhunës në familje, veçanërisht ndaj gruas, si dhe angazhimin për arsimimin dhe fuqizimin e gruas në të gjitha aspektet.
Lidhur me rëndësinë e përkrahjes së promovimit të barazisë gjinore foli edhe z. Russell.
Ndërsa deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Vjosa Osmani, folën mbi rëndësinë e zhvillimit të kapaciteteve me qëllim të rritjes së zbatueshmërisë e ligjeve etj.