Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion
E Hënë, 03.02.2014
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Legjislacion, të kryesuar nga kryetari i komisionit, Arben Gashi, u shqyrtua në parim Projektligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.
Fillimisht u sqarua se raporti i punës së Komisionit ad-hoc për reformë zgjedhore është proceduar në Komisionin për Legjislacion, si komision funksional, me vendim të seancës plenare.
Anëtarët e komisionit, pas diskutimit të tyre për këtë projektligj, u dakorduan që komisioni të mbajë dy punëtori për këtë çështje, në mënyrë që të identifikohen problemet që ekzistojnë në këtë draft-ligj, ndërkaq theksuan faktin se është e nevojshme që sa më parë të finalizohet Ligji për Zgjedhjet.
Tutje, anëtarët e komisionit shqyrtuan dhe përkrahën propozim-amendamentet e grupit punues në Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, si dhe dy raporte: raportin me amendamente të Komisionit Funksional në Projektligjin nr. 04/L-197 për kimikate dhe raportin me amendamente të Komisionit Funksional në Projektligjin nr. 04/L- 230 për Agjencinë e Menaxhimit Emergjent.