Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Arsim,Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media
E Hënë, 03.02.2014
Gjendja në Arsimin e Lartë, posaçërisht në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina" ishte temë bosht e mbledhjes së sotme të Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, të kryesuar nga Ramë Vataj, kryetar i Komisionit. Për këtë temë, në bazë të kërkesës së mbledhjes së kaluar të Komisionit, ishte ftuar Ramë Buja ,ministër i Arsimit,Shkencës dhe Teknologjisë. Duke hapur mbledhjen Ramë Vataj tha se ministri është ftuar për të njoftuar Komisionin se çfarë është ndërmarrë në aspektin e zgjidhjes së situatës aktuale në Universitetin e Prishtinës.
Duke iu drejtuar të pranishmëve, ministri Ramë Buja tha se problemet që kanë shpërthyer në këtë universitet janë të vjetra, duke e ilustruar ketë edhe me disa abuzime në vlerësimin e dijes së studentëve. Në vijim, z. Buja tha se të gjithë hapat që lejon Ligji në fuqi, ndaj gjendjes aktuale në universitet, janë ndërmarrë. Këshilli Drejtues i Universitetit ka formuar një Komision vlerësues rreth punimeve të botuara në revista, njëherësh është aktivizuar edhe Këshilli i Etikës. Komisioneve përkatëse duhet t' iu lihet kohë e duhur për të marrë masat e duhura.
Eqrem Kryeziu në diskutimin e tij tha se një pjesë e stafit universitar bën përpjekje që me çdo kusht të ruajë pozitën. Është e nevojshme, tha ai, që të ndërmerren masa , pa marrë parasysh shkasin e protestave, drejt krijimit të një gjendjeje të kënaqshme në Universitet.
Afrim Kasolli theksoi se shpërfillja e standardeve gjatë avancimeve është e keqja themelore, ndërsa nonsens është fakti kur studiohen mineralet nga personi jo përkatës në atë fushë studimesh. Ndërkaq, duke folur për çështjen e udhëheqjes në segmentet e universitetit, tha se e keqja është se ata që nuk kanë shpërdoruar nuk janë në udhëheqje, kurse shpërdoruesit mbajnë pozitat.
Deputetja Teuta Haxhiu në diskutimin e saj tha se zgjedhja e rektorit ka ardhur si fryt i pazareve politike, ndërsa protestat janë të arsyeshme. Ajo përmendi dukurinë se persona të ndryshëm bëhen doktorë shkencash me plagjiaturë. Duke folur për përgjegjësinë e rektorit, ajo tha se e pakta që është dashur të ndërmerret do të ishte që rektori të japë dorëheqje si akt moral, e pastaj le të verifikohen titujt.
Sadri Ferati shprehu mendimin e është dashur që kundruall kësaj gjendjeje të reflektojë rektori, në vështrimin se sa punime ka, për të kuptuar se a është shkelur ligji apo jo. Ndërkaq, duke folur për rolin e ministrisë në këtë situatë, ai tha se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë,duhet të japë një afat se kur do të gjendet rrugëdalja nga kjo situatë.
Në fjalën e saj Xhevahire Izmaku tha se gjatë diskutimeve folësit duhet t' iu shmangen emocioneve, duke mos marrë rolin e prokurorëve. Komisioni nuk mund të përzihet në punë të Senatit, tha ajo.
Lirije Kajtazi kërkoi që Komisioni të bëhet pjesë e procesit për largimin e parregullsive në universitet. Kuvendi i Kosovës si themelues i universitetit nuk mund të jetë indiferent ndaj gjendjes aktuale. Ajo foli edhe për dukurinë e kushtëzimit të notave ndaj studenteve nga ana e profesorëve.
Duke folur për çështjen e Ligjit mbi arsimin e lartë, Ramë Vataj pohoi se ligji në fuqi nuk lejon keqpërdorime nëse respektohet, ndërsa sa i përket Projektligjit për ndryshimin e këtij Ligji, tha se nga ana e Ministrisë së Arsimit pritet që të sjellë atë në muajin mars për shqyrtim në Kuvend.
Duke u përgjigjur në disa çështje të shtruara dhe pyetje të deputetëve ministri Ramë Buja u shpreh se Projektligji tashmë është gati. Ai vlerësoi debatin e sotëm, duke shtruar edhe kërkesën që edhe gjyqësori për të gjitha dukuritë negative ta thotë fjalën e vet kompetente. Sa i përket shitjes së notave, ai përkujtoi se pa fakte nuk mund të ndërmerren masa. Në përfundim të fjalës ai tha:"Do të angazhohemi maksimalisht për këndellje të situatës në universitetin e Prishtinës, ndërsa nga debati që pritet të zhvillohet në Parlament in e Kosovës do të kemi vetëm përfitime", u shpreh ai.
Diskutuesit ishin të pajtimit se debati që pritet të zhvillohet në Parlament do të kontribuojë në krijimin e rrjedhave frytdhënëse në universitet.
Në këtë mbledhje u shtrua edhe çështja e anëtares së Këshillit të Pavarur për Media, Drita Begolli, e cila si u tha, pos si anëtare në KPM, është edhe prorektore e universitetit ‘Haxhi Zeka" në Pejë, që përbën konflikt interesi, ndaj u kërkua dorëheqja e saj nga anëtarja në KPM. Lidhur me këtë u tha se ajo ka dhënë dorëheqje, por zyrtarisht nuk është konfirmuar ende. Shih për këtë u tha se administrata të konsultohet me Zyrën Ligjore për të verifikuar gjendjen faktike, e konform kësaj edhe të procedohet kjo çështje.