Lajmet e fundit
Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit
E Premte, 31.01.2014
Raporti i punës së Komisionit ad hoc për Reformën Zgjedhore ishte temë qendrore e vazhdimit të sotëm të mbledhjes së 30 janarit të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit , dr. Jakup Krasniqi, një pjesë të së cilës e kryesoi nënkryetari i Kuvendit Sabri Hamiti. Lidhur me këtë pikë para deputetëve foli , ish-kryetari i Komisionit ad hoc, Haki Demolli, i cili theksoi se duke pasur parasysh aktualitetin e problemit të Ligjit mbi zgjedhjet është mirë që fillimisht materiali i punës t' i procedohet Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës e më pastaj të raportohet për Raportin e Punës. Me një veprim të këtillë, tha ai, Kuvendi do të ndihmonte përshpejtimin e aprovimit të Ligjit të Zgjedhjeve. Duke shfrytëzuar materialet dhe punën e Komisionit ad hoc, do të krijohet infrastrukturë ligjore më e avancuar se sa ajo që është në fuqi dhe kështu do të bëheshin më mirë përgatitjet në aspektin normativ për zgjedhjet e radhës në Kosovë. Z. Demolli në vijim tha se aprovimi i Ligjit të ri mbi zgjedhjet është kërkesë , jo vetëm e subjekteve politike dhe qytetarëve të Kosovës , por edhe kërkesë recidive e faktorëve dhe institucioneve relevante ndërkombëtare. Kryesisë së Kuvendit tashmë iu ka dorëzuar edhe draftligji mbi zgjedhjet , i cili për shkaqe objektive nuk është kompletuar dhe përfunduar në tërësi nga ana e Komisionit.
Deputeti Arsim Bajrami(PDK) tha se është e nevojshme që sa më parë të finalizohet Ligji mbi zgjedhjet. Ai kërkoi që procesi zgjedhor të mos improvizohet, e për të mos ndodhur kjo, duhet të plotësohen tri kushte:të arrihet koncenzus rreth reformës zgjedhore, të gjitha organet kushtetuese e institucionet tjera të monitorojnë këtë proces dhe të mos hyhet në procesin zgjedhor pa përgatitje të nevojshme. Debati duhet të zhvillohet në atmosferë të qetë dhe të arrihet marrëveshje për afatin më të përshtatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve, por pa imponim, pra me koncenzus të përcaktohet koha për zgjedhje, atëherë kur Kosova të jetë e gatshme për zgjedhje të lira, që nënkupton edhe miratimin me kohë të Ligjit për zgjedhjet.
Ismet Beqiri (LDK) në diskutimin e tij theksoi se LDK-ja ka qenë dhe mbetet fuqishëm në përkrahjen e zgjedhjeve dhe nxjerrjen e Ligjit për Zgjedhjet. Ai tha se përkrah propozimin që materiali i Komisionit ad hoc t' i dërgohet Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës, madje kjo punë duhet të kryhet sa më shpejt, tha ai.
Albulenë Haxhiu (VV) theksoi se Raporti i Komisionit ad hoc, i cili iu ka shpërndarë deputetëve përmban mangësi dhe të pavërteta. Reforma zgjedhore, pohoi ajo, duhet të jetë në pajtim me vullnetin e lirë të qytetarëve, ndërsa duhet të qartësohen procedurat për secilën etapë të zgjedhjeve. Zgjedhjet, tha ajo, duhet të mbahen edhe në mërgatë, ndërkaq ishte kundër asaj që të vazhdohen vendet e rezervuara për komunitetin serb.
Ardian Gjini (AAK) në diskutimin e tij theksoi se të gjithë po shprehemi se e duam reformën zgjedhore, por nuk mjafton vetëm kjo, sepse duhet edhe angazhim. Koncenzusi nuk mund të bëhet vetëm duke thirrur"Ejani, por bëni si themi ne". Në vijim ai tha se po vërehet pajtueshmëri që tërë materiali i Komisionit Ad- hoc t' i bartet Komisionit për Legjislacion dhe të bëhet Projektligji për Zgjedhjet.
Myzejene Selmani (KKR) shtroi kërkesën që liderët e partive politike të takohen dhe të bisedojnë rreth çështjes,në të mirë të përfundimit sa më të shpejtë të reformës zgjedhore dhe aprovimit të Ligjit përkatës, në mënyrë që vendi të ketë një proces të rregullt zgjedhor. Jasmina Zhivkoviq (SLS) përkrahu gjithashtu reformën zgjedhore, sepse kjo është e domosdoshme për shoqërinë kosovare, mirëpo ajo bëri vërejtje sa i përket disa parregullsive materiale për shkak të gabimeve gjuhësore,ndërsa disa çështje thelbësore nuk janë shqyrtuar në Komisionin ad hoc. Mangësi në Raport vërente edhe Mufera Shinik (6+), duke shtruar njëkohësisht kërkesën që liderët partiak të merren vesh rreth reformës zgjedhore.
Nënkryetari Sabri Hamiti tha se që nga deklarimet e shefave të grupeve parlamentare u pa që ky raport po lihet anash, domethënë është i pavlefshëm. Nuk ka asgjë për të cilën duhet të bisedohet, as nuk janë idetë, as në mënyrën qysh janë ballafaquar, as ku është arritur, pra raporti nuk i ka këto elemente. Problemi është që ne të bisedojmë për reformën zgjedhore, e cila nuk është prodhuar në fillim si vullnet dhe domosdo e përfaqësuesve të qytetarëve, por është prodhuar prej një ngushtice të funksionimit të institucioneve të Kosovës, për shkak se ka dalë një qeverisje me legjitimitet të cunguar, sepse zgjedhjet nuk kanë qenë fer, demokratike dhe të lira, sepse ka pasur edhe vjedhje dhe, e dyta, sepse, duke qenë si të tilla mezi e kanë prodhuar një Qeveri, por s'kanë mund ta prodhojnë një kryetar legjitim të Kosovës. Në vijim Hamiti foli rreth memorandumit të marrëveshjes ndërmjet zotërinjve Pacolli-Mustafa-Thaçi, që ka ndodhur më 6 prill 2011, që kishte të bëjë me nominimin e z. Jahjaga, si presidente të Kosovës. Ndërsa një ditë më vonë këtë memoranduam e përkrah Kuvendi i Republikës së Kosovës. Për të mos u krijuar krizat institucionale u formuan një komision për Kushtetutë dhe një për Reformë zgjedhore.
Në vazhdim Sabri Hamiti shtroi pyetjen: pse komisionet s'e kanë kryer punën? „Fajin e ka Kuvendi, jo veç komisionet, sepse Kuvendi ka bërë rezolutë. Kuvendi s'e ka kryer punën", thksoi ai. Duke folur rreth reformës zgjedhore ai tha se do të ketë precizime, zotime për numërim më të mirë të votave, të mos ketë vjedhje, ndërkaq kjo me ligj nuk ndalet, por ndalet me vullnet dhe me organizim, theksoi ai.
Duke marrë pjesë në debat kryekuvendari Krasniqi tha se Komisioni ad hoc nuk e ka kryer punën , ashtu siç ka marrë obligim nga Kuvendi i Kosovës.Ai nuk ka identifikuar problemet, ndaj si i tillë nuk do të thotë asgjë.Komisioni është dashur të tregojë se si duhet të bëhet reforma. Një detyrë tjetër e tij ka qenë të tregojë se cili ka qenë edhe difekti i zgjedhjeve të kalauara. Edhe në zgjedhjet e fundit ishin 100 mijë vota të pavlefshme. Veprohej sipas asaj se kush e ka xhepin e fryrë blen votat.Emri në listë nuk ka fuqi që të mbrojë votën e vet. Pra, Komisioni është dashur të tregojë se si të mbrohet vota e kandidatit. Problemi nuk është te Ligji, problemi është te të pandërgjegjshmit, pra detyrë e Komisionit është të thotë se si të mbrohet vota e qytetarit. Në vijim kryekuvendari Krasniqi tha:"Kemi problem me funksionimin e institucioneve të shtetit. Partitë politike duhet të arrijnë koncenzus. Kjo reformë duhet të përmbyllet në Kuvend, por ky nuk ka kapacitet, përkatësisht vullnet politik për të bërë reformë", theksoi kryekuvendari Krasniqi. Në debat morën pjesë edhe Halit Krasniqi,Donika Kadaj -Bujupi, Suzan Novobërdali dhe Bekim Haxhiu.
Pa përfundimit të debatit, bazuar në deklarimet e shefave të grupeve parlamentare dhe të diskutuesve, nënkryetarit Sabri Hamiti, propozoi mocionin për votim, sipas të cilit çështjet rreth reformës zgjedhore i kalojnë Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si komision funksional. Komisionit Legjislativ i dorëzohet i gjithë materiali punues i ish - Komisionit ad hoc për reformën zgjedhore për ta draftuar ligjin për zgjedhjet.
Kuvendi gjatë vazhdimit të sotëm të seancës votoi për dy pikat e rendit të ditës, për të cilat debati kishte përfunduar në mbledhjen e kaluar, por në mungesë të kuorumit nuk ishin votuar. Më shumicë votash Kuvendi miratoi Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Statusin e anëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Republikës së Kosovës gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në territorin e shteteve respektive, si dhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për hua dhe financim ndërmjet KFË Frankfurt Am Main, Republikës së Kosovës dhe Operatorit të sistemit, transformimit dhe Tregut KOSST për përmirësimin e rrjetit të transmisionit.
Në vijim u përkrah propozimi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për zëvendësimin e anëtarit në komisionin parlamentar, përkatësisht deputeti Faton Topalli emërohet zëvendëskryetar i parë në Komisionin për bujqësi, pylltari, mjedis dhe planifikim hapësinor, si dhe anëtar të Komisionit për shëndetësi, punë dhe mirëqenie sociale, në vend të ish- deputetit Liburn Aliu.