Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
E Enjte, 30.01.2014
Mbledhja e sotme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, një pjesë të mbledhjes e kryesoi nënkryetari Glauk Konjufca, filloi me pikat e rëndomta të rendit të ditës, përkatësisht kohës për deklarime jashtë rendit të ditës. Me këtë rast deputetët ngritën çështje të ndryshme nga jeta shoqërore, ekonomike,arsimore e politike.
Në vijim fjalën e mori ministri i Arsimit,Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, i cili duke u ndërlidhur me çështjen e ngritur nga Armend Zemaj për nevojën e sjelljes në Kuvend të Projektligjit për mësimdhënësit e viteve 90, theksoi se lidhur me këtë po punohet, por për shkak të kostos së lartë të zbatimit të Projektligjit, duhet të peshohet e shqyrtohet gjerësisht teksti i Projektligjit.
Ndërkaq, në pyetjet e deputetëve u përgjigjën: ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, ministri i Arsimit,Shkencës dhe Teknologjisë Ramë Buja, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, ministri për Infrastrukturë, Fehmi Mujota, ministri i Financave, Besim Beqaj, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku dhe ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar.
Në vijim filloi shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Statusin e anëtarëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Republikës së Kosovës gjatë qëndrimit të tyre të përkohshëm në territorin e shteteve respektive. Projektligjin para deputetëve e prezantoi, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, i cili theksoi se ky Projektligj është mbështetur në marrëveshjen me karakter ndërkombëtar që është arritur ndërmjet dy ministrave , përkatësisht të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa rregullon procedurat e ndryshme të bashkëpunimit, hyrje daljen, qëndrimet në shtetet respektive etj.
Në emër të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, Projektligjin e prezantoi Ahmet Isufi, ndërsa gjatë debatit në emër të grupeve parlamentare të PDK-ës, LDK-ës, VV-ës, KKR-ës, AAK-ës dhe 6+ përfaqësuesit e tyre përkrahën këtë Projektligj dhe diskutuesit tjerë.
Në vijim u shqyrtua Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për hua dhe financim ndërmjet KFW Frankfurt Am Main, Republikës së Kosovës dhe Operatorit të sistemit, të cilin e prezantoi ministri i Financave, Besim Beqaj, duke pohuar edhe përfitimet që do të ketë vendi nga ky ligj i ardhshëm. Projektligjin e përkrahën edhe përfaqësuesit ose kryetarët e grupeve parlamentare të PDK-ës, LDK-ës, VV-ës, AAK-ës dhe KKR-ës, përkatësisht Hasime Krasniqi, Hykmente Bajrami,Visar Ymeri, Xhevdet Neziraj dhe Myzejene Selmani, duke theksuar se ky Projektligj është në funksion të zhvillimit të vendit, sidomos në lëmin e energjetikës.
Kuvendi në vazhdim shqyrtoi për herë të parë Projektligjin për shërbimin Gjeologjik të Kosovës, të cilin e prezantoi Zenun Pajaziti, kryetar i Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës, i cili theksoi se ky Projektligj përmban të gjitha standardet për fushën që rregullon, duke theksuar se Projektligji përbën një bazë të ndërtimit dhe funksionimit sa më të mirë të këtij shërbimi. Projektligji u përkrah, në emër të grupeve parlamentare edhe nga Sala Berisha - Shala, Lutfi Zharku, Visar Ymeri, Ramiz Kelmendi dhe Myzejene Selmani. Pas përfundimit të debatit, Kuvendi miratoi në parim Projektligjin për shërbimin Gjeologjik të Kosovës.
Prezantimin për shqyrtim të parë të Projektligjit për masat antidamping dhe masat kundërbalancuese, në vijim të seancës e bëri ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, ndërsa në emër të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Tregti,Industri... Zenun Pajaziti. Ndërkaq, në emër të grupeve parlamentare të PDK-ës, LDK-ës, VV-ës, AAK-ës, KKR-ës, folën përkatësisht Shaip Muja, Teutë Sahatqija, Visar Ymeri, Ramiz Kelmendi dhe Myzejeni Selmani, të cilët përkrahën Projektligjin, pasi ai përmban direktivat e BE-së lidhur me materien që rregullon, që është në funksion të mbrojtjes së prodhimtarisë vendore, e rrjedhimisht edhe të zhvillimit të vendit. U theksua se me këtë Projektligj përmirësohet çështja e mbrojtjes së prodhimeve vendore nga praktikat, përkatësisht konkurrenca jolojale. Projektligji do të jetë bazë për mbrojtjen e prodhimtarisë vendore, ndërsa nuk ka implikime buxhetore. Diskutuesit përkrahnin miratimin e këtij Projektligji në parim, ndaj në këtë frymë edhe u miratua në parim ky Projektligj.
Në vazhdim deputetët bënë shqyrtimin e parë të Projektligjit për mbrojtjen nga zhurma. Projektligjin e arsyetoi ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, duke theksuar se ky Projektligj i dedikohet zonave të ndjeshme, ndërsa mbështetet në standardet e Bashkimit Evropian. Në emër të Komisionit për Bujqësi dhe Mjedis foli deputetja Sevdije Lama. Ndërkaq, debati vazhdoi me diskutimet e përfaqësuesve të grupeve parlamentare: Ramiz Lladrovci (PDK), Afërdita Berisha Shaqiri (LDK), Faton Topalli (VV), Time Kadrijaj (AAK), të cilët përkrahën miratimin në parim të këtij Projektligji, në të cilin përcaktohen përgjegjësitë e komunave dhe institucioneve të tjera në këtë lëmë. Ndërkaq, deputeti Gëzim Kelmendi nga KKR-ja ishte kundër miratimit të këtij Projektligji dhe propozoi që ai të tërhiqet nga ana e ministrit përkatës. Arsyetimi i tij për tërheqje të Projektligjit ishte se në këtë Projektligj theksohet se ezani cilësohet si burim i zhurmës. Edhe Rasim Demiri nga grupi 6+ dhe Sasha Milosavleviqi ishin kundër nenit 4, pika 2 i cili përcakton objektet e zërimit si burim zhurme në xhami, katedrale dhe kisha. Kryekuvendari Krasniqi iu drejtua dy deputeteve të fundit se duhet të dallohet zhurma nga ezani. Po kështu edhe ministri Dardan Dashi tha se nuk është fjala për ezanin , por për mjetet akustike.
Pas shterimit të diskutimeve Kuvendi miratoi në parim Projektligjin për mbrojtjen nga zhurma.
Seanca vazhdoi punën me shqyrtimin e parë të Projektligjit për Zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij, të cilin e arsyetoi deputeti Agim Kuleta, si iniciues i projektligjit bashkë me 6 deputetë të tjerë, i cili theksoi se Projektligji krijon bazë për mbrojtjen e Zonës së Obiliqit nga ndotja enorme. Kjo zonë theksoi ai është zona më e ndotur në Kosovë. Ai në vijim edhe me të dhëna statistikore foli për dëmet që sjell ndotja në Zonën e Obiliqit, banorët e të cilës janë të goditur shumë nga sëmundjet e ndryshme, sidomos ato kancerogjene dhe të frymëmarrjes. Të njëjtit mendim ishin edhe Rasim Demiri, Ramiz Lladrovci, Afërdita Berisha - Shaqiri, Faton Topalli, Daut Haradinaj, Sevdije Lama e diskutues të tjerë, të cilët njëherësh kërkonin që të përkrahet ky Projektligj, i cili do të mundësojë realizimin e masave që do të kenë për qëllim evitimin e dëmeve me pasoja që u shkakton ndotja banorëve të këtushëm dhe ambientit të gjithmbarshëm të kësaj zone. Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Dardan Gashi përkrahu Projektligjin, por theksoi dilemën se si të sendërtohet financiarisht ai, për shkak të kostos së lartë. Pas debatit Kuvendi miratoi në parim Projektligjin Zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij.
Kuvendi pastaj vazhdoi me shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pajisje me armë dhe pajisje përkatëse të sigurisë për institucionet e autorizuara shtetërore për siguri, të cilin para deputetëve e arsyetoi Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës, ndërsa në emër të Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, Projektligjin e prezantoi Ahmet Isufi. Pas debatit Kuvendi miratoi në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pajisje me armë dhe pajisje përkatëse të sigurisë për institucionet e autorizuara shtetërore për siguri.
Edhe arsyetimin e Projektligjit për armë, para deputetëve e bëri Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës, i cili theksoi se ky Projektligj ndër të tjera përcakton kushtet për blerjen, prodhimin, importin dhe eksportin e armëve. Ndërkaq, në emër të Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjensionit Kosovar të Intelegjencës foli kryetari i këtij Komisioni, Rexhep Selimi, i cili tha se ky Komision përkrah këtë Projektligj, por ai shtroi pyetjen pse në nenin ku flitet për institucionet shtetërore të sigurisë, nuk përmendet edhe Forca e Sigurisë së Kosovës. Pas debatit u miratua në parim Projektligjit për armë.
Në vijim Kuvendi shqyrtoi Projektligjin për Inspektoratin e Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës. Projektligjin e arsyetoi në seancë ministri i Financave Besim Beqaj, duke theksuar se ky Projektligj përcakton fushë veprimtarinë e këtij Inspektorati. Në emër të Komisionit për Buxhet dhe Financa arsyeshmërinë e miratimit në parim të këtij Projektligji e paraqiti Jelena Bontiq, zëvendëskryetare e Komisionit për Buxhet dhe Financa. Pas debatit Kuvendi miratoi në parim Projektligjin për Inspektoratin e Doganës dhe
Seanca vazhdon punën , të premten, më 31 janar, edhe me dy pika të rendit të ditës, si dhe do të votojë për dy pika të shqyrtuara për të cilat janë të nevojshme dy të tretet e votave të deputetëve.