Lajmet e fundit
Deputeti Hyseni merr pjesë në punimet e Sesionit të Parë të AP të Këshillit të Evropës
E Mërkure, 29.01.2014
Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Hydajet Hyseni, po merr pjesë në punimet e Sesionit të Parë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që po mbahen në Strasburg të Francës. Deputeti Hyseni, gjithashtu, ka zhvilluar edhe disa takime të veçanta me deputetë dhe delegacione të ndryshme në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Gjatë punimeve, anëtarëve të Asamblesë me një fjalë u është drejtuar presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, i cili, njëherësh, u është përgjigjur edhe pyetjeve të tyre. Gjatë fjalës së tij, presidenti Schulz, ndër të tjera, konfirmoi perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Pasdite është mbajtur mbledhja e Komisionit për Çështje Politike të AP të Këshillit të Evropës, ndërsa në rend dite ishte edhe zgjedhja e Raportuesit për Kosovën, zëvendësim i Raportuesit të deritanishëm, Bjorn van Sydow.
Në garën ndërmjet dy kandidatëve të propozuar: Agustin Conde nga Spanja dhe Josette Durrieu nga Franca, besimin e deputetëve për Raportues për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e mori z. Conde.
Në ditën e parë të punimeve, ndërkaq, Anne Brasseur nga Luksemburgu është zgjedhur kryetare e Asamblesë të Këshillit të Evropës.
Punimet e Sesionit të Parë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të filluara më 27 janar, do të zgjasin deri më 31 janar 2014.