Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi priti ambasadorin Jean-Claude Schlumberger, kryesues i Misionit të OSBE-së në Kosovë

E Mërkure, 29.01.2014




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim ambasadorin Jean-Claude Schlumberger, kryesues i Misionit të OSBE-së në Kosovë. Në takim u bisedua lidhur me disa çështje që kanë të bëjnë me Komisionin e Pavarur për Media, si dhe reformën zgjedhore. Kryekuvendari Krasniqi, duke i bërë një vështrim çështjes së KPM-ës, theksoi se ky Komision, për shkak të shkarkimit të dy anëtarëve të Bordit, aktualisht është jo funksional, por bëhen përpjekje që të kompletohet Komisioni, duke përfillur të gjitha procedurat ligjore. Ndërkaq, duke folur rreth çështjes së reformës zgjedhore, ai tha se reforma është proces shumë i rëndësishëm, por jo gjithçka varet nga Kuvendi."Sistemi me lista të hapura po e vështirëson e dëmton procesin zgjedhor, ndaj angazhohemi për një ligj zgjedhor , i cili do të mundësojë zgjedhje të thjeshta, transparente,si dhe shpallje me kohë të rezultateve të tyre", tha kreu i legjislativit të vendit.

Ambasadori Jean-Claude Schlumberger vlerësoi lart aktivitetet që po ndërmerren rreth KPM-ës, duke u shprehur se për këtë Komision, OSBE-ja ka interesim të veçantë. KPM-ja, tha ambasadori, gjithnjë gëzon përkrahjen e OSBE-së. Ai shprehu kënaqësinë për respektimin e procedurave me rastin e zgjedhjes së anëtarëve të Bordit të KPM-ës, si dhe për qëndrimin që anëtarët e Komisionit të jenë të pavarur në aspektin politik. Z. Jean-Claude Schlumberger në vijim theksoi se OSBE-ja ndjek me interesim edhe çështjen e reformës zgjedhore dhe punën që bëhet për Ligjin zgjedhor. Në këtë punë OSBE-ja do të ofrojë përvojën dhe kapacitetet e veta.

Bashkëbiseduesit ishin unik në vlerësimin se Kuvendi dhe OSBE-ja janë duke zhvilluar bashkëpunim shumë të frytshëm.

 

 Kryekuvendari Krasniqi priti ambasadorin Jean-Claude Schlumberger, kryesues i Misionit të OSBE-së në Kosovë