Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së
E Mërkure, 29.01.2014
Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga kryetari i komisionit Ahmet Isufi, u shqyrtua Raporti vjetor i FSK-së për vitin 2013.
Me këtë rast, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant, Kadri Kastrati, njoftoi anëtarët e komisionit lidhur me progresin e arritur në zhvillimin e FSK-së për periudhën njëvjeçare të punës.
Duke e cilësuar vitin 2013 si një vit me shumë arritje për FSK-në, komandanti Kastrati tha se gjatë vitit të kaluar FSK-ja ka zhvilluar të gjitha aktivitetet sipas planit të paraparë, ndërkaq shpalosi të gjitha aktivitetet kryesore gjatë vitit 2013, si dhe foli për sfidat dhe planet e FSK-së gjatë këtij viti.
Sfidë kryesore për FSK-në ishte dhe mbetet Rishikimi i Sektorit Strategjik të Sigurisë, si dhe plotësimi me pajisje dhe automjete i Njësisë rajonale të kërkim-shpëtimit dhe ngritja e Qendrës rajonale të ekselencës për kërkim-shpëtim.
Anëtarët e komisionit theksuan se FSK-ja vazhdon të mbetet institucion i vlerësuar dhe se duhet të vazhdojë angazhimet drejt avancimit të mëtejmë. Ata theksuan faktin se duhet të bëhet sa më shpejt ndryshimi i misionit, në mënyrë që edhe FSK-ja të jetë pjesë e NATO-s.
Anëtarët e Komisionit po ashtu shqyrtuan dhe përkrahën edhe Planin e Punës së Komisionit për vitin 2014 dhe shpalosën programin e punës dhe aktivitetet tjera të komisionit gjatë këtij viti.
Ndërkaq, lidhur me Projektligjin për Komisionarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Policinë e Kosovës ( hartuar nga Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së), i cili është dërguar për mendim në Qeverinë e Kosovës, anëtarët e komisionit u dakorduan që të kërkojnë informatë shtesë nga Zyra e Kryeministrisë së Kosovës lidhur me këtë çështje, meqë akoma nuk kanë marrë ndonjë informatë për procedimin e mëtejmë të këtij projektligji.