Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike

E Marte, 28.01.2014




Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga kryetari i komisionit Ali Sadriu, u shqyrtua dhe u përkrah Raporti vjetor i punës së Komisionit, për vitin 2013, si dhe Plani i Punës së Komisionit, për vitin 2014.

U theksua fakti se gjatë këtij viti komisioni do ta finalizojë Projektligjin nr. 04/L-236/1 për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, ndërkaq më tej u shpalos programi i punës dhe aktivitetet tjera të komisionit gjatë këtij viti rreth shqyrtimit të raporteve të auditimit të organizatave buxhetore, raportit vjetor të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, si dhe rreth mbikëqyrjes së zbatimit të ligjeve sipas fushëveprimit të komisionit.

Komisioni po ashtu diskutoi edhe për çështjen e financimit të partive politike. Me këtë rast u tha se përfaqësues të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve nuk i janë përgjigjur akoma komisionit për të dhënat rreth numrit të partive politikë pjesëmarrëse në procesin zgjedhor të cilat janë palë e përfitimit nga ndarja buxhetore. Megjithatë, ata u dakorduan që e njëjta shkresë t'i drejtohet edhe kryetares së KQZ-së, Valdete Daka.

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike