Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...

E Marte, 28.01.2014




Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës.

Në këtë mbledhje, të kryesuar nga Suzan Novobërdali, kryetare e komisionit, është marrë vendim për formimin e Panelit Intervistues për përzgjedhjen e kandidateve për Avokatin e Popullit. Lidhur me këtë, komisioni vendosi që në panel të jenë shtatë anëtarë, ndërsa kryesuese të këtij paneli është vendosur të jetë Suzan Novobërdali. Deri më tani, në Administratën e Kuvendit të Kosovës kanë arritur 26 aplikacione të kandidatëve për të parin e Institucionit të Avokatit të Popullit. Aplikantët e deritashëm janë: Sheqir Kutllovci, Musa Dragusha, Njazi Morina, Basri Berisha, Murlan Prizreni, Ibrahim Arsllan, Fadil Geci, Zef Prenrecaj, Shqipe Ibraj-Mala, Flamur Keqa, Shemsi Reqica, Hilmi Jashari, Gjyljeta Mushkolaj, Ljubinko Todoroviq, Bajram Ajeti, Drita Rexhepi, Ferid Selimi, Bekim Dugolli, Halit Muharremi, Arsim Agani, Muharrem Mustafa, Bogoljub Staletoviq, Veton Vula, Adriana Hogjiq, Lulzim Tafa dhe Mevlide Berisha (e cila nuk e ka të kompletuar dokumentacionin).

Në këtë mbledhje është diskutuar edhe për ecurinë e zbatimit të Ligjit për personat e verbër. Për këtë, komisioni është njoftuar nga përfaqësuesit e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), përkatësisht drejtoresha e Departamentit Ligjor, Minire Begaj, drejtori i Departamentit të Skemave Sociale , Sami Salihu dhe Nexhat Syla, drejtor i Departamentit të Buxhetit. Me këtë rast, ata njoftuan se për shkak të mungesës së mjeteve buxhetore, ligji nuk ka mundur të zbatohet ashtu siç ka qenë e paraparë (më 1 janar të vitit të kaluar). Por, sqaruan ata, ligji ka filluar së zbatuari nga janari i këtij viti. Deri mëtani, benifitet e këtij ligji i gëzojnë 529 veta dhe shoqëruesit e tyre, apo 1058 persona, ndërsa në procedurë të shqyrtimit janë edhe 958 raste, njoftuan përfaqësuesit nga MPMS-ja. Ata po ashtu kanë njoftuar edhe për pengesat ligjore për zbatimin e ligjit, ku vlerësuan se neni shtatë i tij, duhet të ridefinohet dhe të qartësojë trajtimin e përcjellësit së të verbrit. Përfaqësuesi i Shoqatës së të Verbërve, Bujar Kadriu, ndërkaq, kërkoi që ndaj kësaj kategorie ligji të ketë efekte retroaktive duke filluar nga janari i vitit të kaluar. Anëtarët e komisionit po ashtu kërkuan zbatimin e plotë të ligjit dhe këtë rekomandim do ta paraqesin edhe në raportin përfundimtar për zbatimin e Ligjit për personat e verbër.

Në vijim të mbledhjes, komisioni miratoi edhe Raportin e Punës së komisionit për vitin 2013,si dhe Planin e Punës së Komisionit për vitin 2014.

 

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut...