Lajmet e fundit
Kryekuvendari Krasniqi priti një delegacion të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-ës
E Marte, 28.01.2014
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot një delegacion të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, të kryesuar nga Xhevdet Qeriqi, kryetar. Me këtë rast, Xhevdet Qeriqi dhe anëtarët e delegacionit e njoftuan kryetarin Krasniqi me veprimtarinë e këtij Këshilli, duke vënë në spikamë disa vështirësi dhe probleme rreth statusit të luftëtarëve të UÇK-ës, sidomos kur është fjala për sigurimin e mbrojtjes sociale të luftëtarëve. Një pjesë e madhe e luftëtarëve po ballafaqohen me varfëri të skajshme. Ata shtruan kërkesën që sa më parë të aprovohet Ligji për statusin e luftëtarëve të UKÇ-ës, në mënyrë që ata t' i realizojnë të drejtat e tyre në bazë të ligjit. Delegacioni propozoi që për problemet e luftëtarëve të bëhet edhe një debat parlamentar në Kuvendin e Kosovës.
Kryekuvendari Krasniqi vuri në dukje se duhet të bëhet Ligji për luftëtarët e UÇK-ës, madje mund të bëhen edhe ligje për kategori të veçanta të pjesëmarrësve të luftës. Mirëpo, para kësaj, sa më parë duhet të bëhet evidenca e saktë e luftëtarëve dhe dëshmorëve. Pa u bërë kjo, është vështirë të miratohet ligji. Sa i përket kërkesës për debat parlamentar, kryetari Krasniqi tha se kjo kërkesë mund të bëhet në Kuvendin e Kosovës, sipas procedurës përkatëse.