Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Arsim,Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media
E Hënë, 27.01.2014
Shqyrtimi i Raportit të punës së Komisionit, për vitin 2013, ishte pikë e parë e rendit të ditës në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, të kryesuar nga Ramë Vataj, kryetar i ri i Komisionit, i cili zëvendësoi z. Idriz Vehapi, i cili është zgjedhur kryetar i Komunës së Rahovecit. Pas debatit, gjatë të cilit u tha se Raporti tregon në mënyrë gjithëpërfshirëse punën e këtij Komisioni, anëtarët përkrahën Raportin për vitin 2013.
Në vijim Komisioni shqyrtoi Propozim-Planin e punës për vitin 2014. Përkitazi me këtë u tha se Komisionin e presin shumë punë sa i përket shqyrtimit të projektligjeve. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti anëtarët e Komisionit u angazhuan që të shqyrtohen projektligjet, si:Projektligji për vetëqeverisje lokale, i cili është shqyrtuar disa herë gjatë vitit të kaluar, por ende nuk ka marrë trajtën përfundimtare,pastaj Projektligji për arsimin e lartë, duke ditur se ligji ekzistues ka mjaft mangësi, Projektligji për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve, ai për Maturën shtetërore, Projektligji për statusin e punonjësve arsimore gjatë viteve 90, tri projektligje nga lëmi i sportit, si: ai për Parandalimin e dhunës , Menaxhim të objekteve sportive, si dhe ai për Sponzorime.
Anëtarët e Komisionit diskutuan edhe lidhur me çështjen e shqyrtimit të raporteve të agjencive dhe të institucioneve të tjera në Kuvendin e Kosovës. Lidhur me këtë u tha se në rastet kur nuk aprovohen raportet nga ana e Kuvendit, duhet të shtrohet çështja se çfarë të bëhet më tutje, pra të shtrohet përgjegjësia e këtyre agjencive.
Në këtë mbledhje u fol edhe për gjendjen aktuale në Universitetin e Prishtinës" Hasan Prishtina". Në këtë frymë u kërkua që ecurive në arsimin universitar nga këndvështrimi i zbatimit të ligjit, t' i kushtohet sa më shpejt një mbledhje, në të cilën do të ftohej edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja.
Anëtar i ri i Komisionit të Arsimit nga radhët e PDK-ës është emëruar Bekim Haxhiu.