Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Krasniqi priti shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar

E Hënë, 27.01.2014




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, priti sot në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Samuel Zhbogar, me të cilin bisedoi për punën që e pret Kuvendin gjatë pjesës së parë të këtij viti dhe për një varg zhvillimesh të tjera.

Pasi ka çmuar punën e Kuvendit gjatë vitit të kaluar, përfaqësuesi i BE-së e ka konsideruar vitin 2014 si mjaft të rëndësishëm për Kosovën dhe në këtë mes, ka piketuar edhe rolin që do të ketë Kuvendi.

Reforma zgjedhore ishte një nga çështjet kryesore në të cilën ai u fokusua, duke vlerësuar që ndryshimet eventuale të ligjit të jenë në funksion të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Zhbogar shtroi nevojën që ligjet të cilat kanë të bëjnë me procesin e integrimit evropian të Kosovës, konkretisht me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, të jenë prioritet i punës së Kuvendit gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Në këtë funksion, ai u ndal edhe në mundësitë e një koordinimi edhe më të ngushtë ndërmjet palëve.

Kryeparlamentari Krasniqi, pasi hodhi një vështrim mbi ecurinë e punës së Komisionit për reformën zgjedhore, tha se reforma varet nga subjektet politike dhe njëherësh shprehu skepticizmin e tij që ky proces mund të përfundojë para zgjedhjeve.

Sa i përket miratimit të ligjeve, Krasniqi tha se Kuvendi do të përpiqet ta kryejë funksionin e tij legjislativ konform nevojave të Kosovës dhe qytetarëve të saj, si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në atë që lidhet me procesin e integrimit evropian. Përkitazi me këtë, kryetari i Kuvendit shprehu gatishmërinë për ta thelluar koordinimin me mekanizmat e tjerë relevantë.

Në takim u fol edhe për rishikimin strategjik të EULEX-it, i cili pritet të ndodhë gjatë muajve në vijim, si dhe për rolin që do ta ketë Kuvendi në këtë proces.

 

Kryeparlamentari Krasniqi priti shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar